Dëbimi i gylenistit, eurodeputetja letër Ramës: Duam sqarime për procedurat

Deputetja e Parlamentit Europian, Ramona Strugariu e cila doli kundër ekstradimit të mësuesit turk Harun Çelik nga Shqipëria drejt Turqisë i është drejtuar me letër zyrtare kryeministrit Edi Rama.

Strugariu kërkon një përgjigje të qartë lidhur me procedurat që janë ndjekur për ekstradimin e Harun Çelik drejt Turqisë në lidhje me Ligjin Ndërkombëtar dhe Europian si dhe si u krye ky operacion.

Eurodeputetja rumune kërkon të dijë edhe mbi kërkesën që kishte iniciuar Harun Çelik për azil në Shqipëri. Si është vepruar me këtë kërkesë të mësuesit turk të dyshuar si ‘gylenist’ nga autoritetet shqiptare.

Procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare ndaj shtetasit turk Harun Çelik, i larguar nga vendi i tij si mbështetës i lëvizjes Gylen, për shkak të kërcënimeve ndaj jetës, mbeten ende mister. As avokatët shqiptarë që e mbrojtën 42-vjeçarin me profesion mësues, në përballjen gjyqësore, pasi u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente falso duke udhëtuar drejt Kanadasë, nuk e kanë të qartë se për çfarë arsyesh dhe mbi ç’bazë ligjore ai u mor më 1 janar nga autoritetet e Emigracionit dhe Kufirit, dhe po atë mbrëmje me shpejtësi e hipën në avionin e linjës Air Albania drejt Stambollit. Për këtë, ata kanë kërkuar zyrtarisht informacion, se çfarë ka ndodhur me klientin e tyre, fakt që shton dhe më shumë pikëpyetjet mbi veprimet e palës shqiptare.

SHKARKO APP