Dëbimi i mësuesit “gylenist”, Hajdari: Shteti shqiptar shkel të drejtat e njeriut
Deputetja Rudina Hajdari ka shkruar në lidhje me ekstradimin e dyshimtë të shtetasit turk Harun Çelik, i cili u dëbua nga Shqipëria më 1 janar pas vuajtjes së dënimit për tentimin e kalimit në aeroport me një pasaportë false.
Hajdari shkruan se me ekstradimin e mësuesit pa një vendim të gjykatës në një vend ku ai rrezikon jetën, shteti shqiptar ka shkelur haptazi të drejtat e njeriut.
“Me ekstradimin e shtetasit turk Harun Çelik, pa një vendim gjyqësor dhe drejt një vendi ku ka rrezik serioz për jetën dhe trajtimin e tij, gjendemi përball shkeljeve të të drejtave të njeriut, ligjeve në fuqi të RSh, Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën e Këshillit të Europës për Ekstradimin. Institucionet përkatëse të ndërmarrin masa për zhvillimin e procesit të rregullt ligjor për subjektin dhe të ndalohen aktet politike në cënim të të drejtave të njeriut.”-shkruan Hajdari.