”Defender 2023”, Ministria e Mbrojtjes: Shqipëria gati të shërbejë sërish si vend pritës

Pas suksesit të arrirë me stërvitjen më të madhe ”Defender 2021”, Shqipëria ka nisur punën për të pritur sërish një nga stërvitjet më të mëdha “Defender 2023”. Për këtë u organizua edhe Konferenca koordinuese, ku morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA dhe Shqipërisë. Në fjalën e tij, Peleshi e cilësoi një histori suksesi stërvitjen “Defender 2021”, e cila u zhvillua disa muaj më parë.

“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak dhe konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike dhe të përgjithshme për ekzekutimin e saj të shpejtë.

Stërvitje të tilla me shikueshmëri të lartë tregojnë rëndësinë strategjike të Politikës së Zgjeruar të Parandalimit të SHBA-së për NATO-n dhe aleatët dhe partnerët e saj evropianë si dhe rithekson angazhimin e fortë që Aleanca, dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara, i kushtojnë rajonit tonë. ‘Defender Europe’ për ne, mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe garancisë për qytetarët tanë, vendet e rajonit dhe mbarë Evropën”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

Teksa siguroi mbështetjen dhe ndihmën maksimale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA për stërvitjen e radhës Defender 23, ministri Peleshi tha se Shqipëria konfirmoi gatishmërinë të shërbejë sërish si vend pritës për serinë e Defender.

SHKARKO APP