Deklarata e BE, Kryemadhi: Unë lexoj zhgënjimin e ndërkombëtarëve, Edi Rama ka opozitë administratën publike dhe socialistët

E ftuar në emisionin ‘Ilva Now’ kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur mbi deklaratën e ambasadës së Bashkimit Europian në Tiranë në lidhje me votimin në Parlament të Kodit Zgjedhor. Kryemadhi tha se në të gjitha deklaratat e ndërkombëtarëve vërehet zhgënjimi i tyre ndaj Edi Ramës. Sipas kryetares së LSI, sot Edi Rama dhe qeveria kanë opozitë jo vetëm PD dhe LSI por dhe administratën publike.

‘Unë lexoj zhgënjimin e radhës së institucioneve ndërkombëtare që deri më sot e mbajtën me oksigjen Edi Ramën. Sot kemi një histori që ka marrë fund tashmë. Për mua është detyra e LSI dhe e gjithë opozitës, është që t’u drejtohen shqiptarëve për angazhimet që do të marrin pas 25 prillit. Beteja e 25 prillit ka marrë fund”, tha ajo.

Nga ju buron kjo bindje?

Ilva mjafton të shikosh reagimet fëminore, por edhe në panik jo vetëm të Edi Ramës, por edhe të gjithë shpurës së tij, kupton që situata dhe lëvizjet e asaj që shikojmë edhe ne në terren, kupton që rrënimi i pushtetit të Edi Ramës është i jashtëzakonshëm. Sot Edi Rama nuk ka opozitë vetëm LSI, PD, sot ka opozitë edhe administratën e vet publike. Në votimet e 30 qershorit, 30% e administratës publike i votoi kundër. Sot Edi Rama ka opozitë PS, socialistët e vet.

Jam e bindur që veprimet e njëanshme të Edi Ramës, minimumi do të dyfishojnë rezultatin e LSI. Unë them që me ndryshimet e mëparshme të 5 qershorit, LSI e fillonte dyshemenë e saj me 34 mandate. Ndërsa sot LSI e fillon dyshemenë e saj me 40 mandate. Edi Rama kishte shpresën e tij të fundit, është që mendonte se do të kishte ndonjë deklaratë në nervozizëm e sipër për të thënë që opozita nuk do të hyjë në zgjedhje. Do të hyjë në zgjedhje me gatishmërinë më të madhe dhe me një dashuri shumë të madhe për t’i treguar Edi Ramës që kur grabit meritat dhe vlerat e socialistëve e pëson më keq.

SHKARKO APP