Deklarata e Trump frikëson Gjermaninë, kërkohet rritja e buxhetit të luftës nga 100 në 300 miliardë euro

Deklarata e Trumpit për detyrimin e vendeve të NATO-s që të paguajnë më shumë, ndryshe SHBA nuk do të garantonte sigurinë, ka nxitur debat të madh në Gjermani në lidhje me mundësinë e forcimit të ushtrisë gjermane.

Deklarata e Trumpitka shkaktuar debate të shumta edhe në Gjermani, për domosdoshmërinë e rritjes së buxhetit të mbrojtjes. Tani po diskutohet për një fond special edhe më të lartë, për forcimin e industrisë së armëve dhe për heqjen e frenave të borxheve. Me deklaratat e tij për detyrimin e NATO-s për të ofruar më shumë pagesa, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar shtimin e zërave në Gjermani që kërkojnë më shumë para për Bundeswehr-in. Politikani i mbrojtjes i CDU-së Roderich Kiesewetter deklaroi për Süddeutsche Zeitung se asetet për ushtrinë duhet të trefishohen.

“Është plotësisht e qartë se ne kemi nevojë për 300 miliardë, në vend të 100 miliardë eurove, në mënyrë që Bundeswehri të bëhet gati për luftim”, tha ai. Por duhet të përjashtohet mundësia e shpërdorimit të parave për të mbyllur vrimat e buxhetit. Përveç kësaj, duhet të arrihet edhe një buxhet i përhershëm i mbrojtjes prej të paktën dy për qind të fuqisë ekonomike. E kjo mund të arrihet vetëm me “rivendosjen e prioriteteve dhe me reforma të qarta strukturore”.

Politikani i SPD-së, Andreas Schwarz gjithashtu sheh një nevojë urgjente për rritjen e fondeve të mbrojtjes. Ai propozon shkëputjen e përhershme të fondeve për mbrojtjen nga e ashtuquajtura frena e borxheve në Kushtetutë, për shkak të pasigurive në SHBA dhe kërcënimit nga Rusia. Gjermania ka nevojë urgjente për të investuar në mbrojtjen civile nga fatkeqësitë, si dhe për shumë më tepër mjete për mbrojtjen kibernetike, për bunkerë, për dhoma operative celulare dhe për furnizimet e spitaleve.

Trump deklaroi gjatë një prezantimi të kandidaturës për president se Amerika nuk do të mbrojë ato vende që nuk paguajnë obligimet e veta, të paktën dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto, për shpenzimet e mbrojtjes çdo vit. Gjermania ka paguar më pak vitet e fundit. Por kancelari Scholz thotë se këtë vit “dhe përgjithmonë”, vendi i tij do të plotësojë shifrën dy për qind.

Fakti që qeveria po investon më shumë në armatim është vendimtar edhe për Ukrainën. Gjermania është donatori më i madh ushtarak i Ukrainës në Evropë dhe është e dyta në botë, pas Shteteve të Bashkuara. Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, Gjermania deri më tani ka dhënë më shumë se 17 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën. Po Ukraina është nën presion në rritje. Një nga arsyet: mungesa e municionit. Kohët e dorëzimit të municioneve janë aktualisht deri në 28 muaj. Fabrikat e reja synojnë ta ndryshojnë këtë, siç është fabrika e kompanisë së armëve Rheinmetall. Me 12. shkurt Scholz vuri gurëthemelin për ndërtimin e një objekti të ri për municione në Lüneburg Heath. Në vitin 2025 pritet të dalin nga fabrika 50.000 predha artilerie, vitin tjetër 100.000 e më vonë 200.000 në vit. Do të prodhohen kryesisht predha artilerie 155 milimetra, si dhe eksplozivë dhe komponentë për artilerinë raketore. Rheinmetall planifikon të investojë një total prej 300 milionë euro në fabrikën e re, ku do të hapen 500 vende pune.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit CDU/CSU Johann Wadephul thotë se këto investime janë të rëndësishme. Por, sipas tij, qeveria federale duhet të paraqesë një strategji për të forcuar industrinë e mbrojtjes.

Bundeswehrimund të bëhet vetëm atëherë shtylla kurrizore konvencionale e NATO-s dhe mbrojtjes në Evropë, kur të ketë bazën e duhur industriale. Ndërsa qeveria duhet “më në fund” të paraqesë një strategji gjithëpërfshirëse për të forcuar industrinë gjermane të sigurisë dhe të mbrojtjes./DW/

SHKARKO APP