Deklaratat e Osmanit, Nesho: Goditje se si mund të bëhet politikë, Kosova kërkon partner të ri politik në Shqipëri
Vizita e presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, në Tiranë shkaktoi zhurmë mediatike, me qëndrimet e qarta të saj në raport me Serbinë por edhe atë çfarë pret nga Shqipëria.
Diplomati, Agim Nesho, thotë se kjo ishte një goditje sesi mund të bëhet politikë nga përfaqësuesja e një klase të re politike në Kosovë dhe që kërkon një partner të ri bashkëpunimi në shtetin amë.
Nesho: Kjo ishte një goditje sesi mund të bëhet politikë dhe e bën përfaqësuesja e re e një klase politike me eksperiencë dhe vizion për të ardhmen. Sulmoi të dy politikat që deri tani kanë dominuar në Ballkan, shtroi nevojën që politika e ndarjes së kufijve është rrezik real që nuk ka ikur akoma po pret që të rikthehet dhe ajo me shumë të drejtë e shikon këtë si politikë që ka qenë prezente në Kosovë por është përkrahur edhe nga elementë të politikës shqiptare si qeveria Rama. Përmendi idenë e minishengenit. Me të dyja këto ide ajo sulmoi politikën e jashtme duke kërkuar që duhet të bazohemi në një politikë të re që është esenciale për faktorin shqiptar në Ballkan. Të dy politikat janë përkrahur nga qeveria Rama dhe më këtë goditje ata kërkojnë një partner të ri politik në Shqipëri. Për herë të parë ajo i kërkoi presidentit Meta që të marrë rolin për unifikimin e faktorit kombëtar duke i thënë që është një aktor jo vetëm nga eksperienca e tij por edhe nga lëvizjet e deritanishme politike ka treguar maturi për të ndërmarrë veprime.
I ftuar në Rtv Ora, Nesho thotë se qeveria Rama ka dështuar për të qenë në krah të Kosovës si me idenë për shkëmbimin e territoreve ashtu dhe minishengenin ballkanik.
Ndaj sipas tij, gur prove është miratimi i rezolutës për dënimin e genocidit serb nga Kuvendi.
Nesho: Qeveria Rama dështoi. Sfida e re që i nxori përpara presidentja e Kosovës Osmani ishte çështja e genocidit, është një gur prove sepse është pika më kritike që mund ti bashkojë apo largojë interesat e deritanishme të Tiranës me Beogradin që na është thënë se është rruga strategjike për të krijuar një Ballkan të ri që do të integrohet në Europë. Rama do ta ketë shumë të vështirë të sfidojë gjeneratën e re të politikanëve shqiptarë. Osmani vë para një zgjidhje politike Shqipërinë që është para zgjedhjeve, që ne kërkojmë një ndryshim.
Në gjykimin e tij, Rama do ta ketë shumë vështirë që të bëjë rezolutën për dënimin e genocidit serb.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, pritet të jetë e dërguar e administratës Biden për dialogun Kosovë-Serbi.