Deklaratat nga Vulin në tryezën e samtit, Rama dhe Vuçiç ngacmohen në Mal të Zi, kurse Kurti flet për demokraci
Sqarimet e kërkuara për deklaratat e zv/kryeministrit Vulin, duket se vijuan në tryezën e samitit BE-Ballkani perëndimor, organizuar në Kotorr të Malit të Zi.
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç u panë të diskutonin gjatë me njëri-tjetrin, si para mbledhjes ashtu edhe në pauzat mes njërit diskutim dhe tjetrit. Problemeve të fqinjësisë, shefi i Qeverisë shqiptare i kushtoi jo pak vëmendje, duke dalë përtej tekstit të përgatitur të fjalimit.
”Duhet ta lëmë politikën dhe çështjet dypalëshe dhe çfarëdolloj që ekziston mes nesh jashtë kësaj hapësire sepse sido që të jetë, në qoftë se bëjmë gjithçka në mënyrën dhe stilin europian brenda kësaj hapësire, kjo do të lehtësojë dhe paqësojë edhe atmosferën për të gjithë në mënyrë që të merren me çështjet dypalëshe”, tha Rama.
Më konkret në këtë drejtim u tregua Albin Kurti që kishte jo vetëm një mesazh për Serbinë, por edhe për Europën. “Marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajonin tonë, me njohje të ndërsjellët faktike dhe de juro, janë të domosdoshme për paqe, siguri dhe integrim. Ndaj kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiqin në Kosovë dhe gjithashtu dhe grupin e tij paramilitar që e kanë vrarë rreshterin tonë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të shkuar”, u shpreh Kurti.
Kartës së demokracisë, luajtur nga Kurti, Vuçiç iu përgjigj me atë të ekonomisë, por duke shmangur një përplasje direkte në replika. “Do të dukesha si ta dhe do të bëj më të mirën time për ta evituar diçka të tillë. Faleminderit edhe njëherë dhe besoj, Edi, se fola goxha më pak se ti, ndonëse ti nuk e mate minutazhin tënd, por mos u shqetëso se e bënë njerëzit e mi”, tha Vuçiç.