Deklaratë e Përbashkët e Qeverisë Shqiptare dhe Ambasadorit të Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri

Zëvendëskryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Lartësisë së Tij Emirit të Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, si dhe ndaj qeverisë dhe popullit  Kuvajtian, për kontributin bujar në mbështetje të reformave ambicioze të qeverisë shqiptare, i cili vjen si mbështetje e vazhdueshme e Shtetit të Kuvajtit për popullin shqiptar. Kjo mbështetje pasqyron thellësinë dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe historike dypalëshe, në fushat politike, ekonomike dhe kulturore.

Në këtë aspekt, Zëvendëskryeministri nënvizoi angazhimin e Shtetit të Kuvajtit në mbështetje të procesit të zhvillimit të Shqipërisë që prej vitit 1993, në veçanti nëpërmjet projekteve të ndërmarra nga Fondi i Kuvajtit për Zhvillim Ekonomik në infrastrukturën rrugore, transport, sistemin ujitës, me një vlerë totale prej 75 milion dollarë.

Zëvendëskryeministri Peleshi theksoi se kontributi do të alokohet për pesë prioritete, duke i  mundësuar qeverisë shqiptare të përballet me një sërë sfidash, duke lehtësuar zbatimin e reformave të nevojshme dhe të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ai theksoi se projekti në fjalë do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive për veprim efektiv.

Në vijim, Zëvendëskryeministri e siguroi Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit se ai mirëpret me interes të madh vizitën zyrtare të Kryeministrit Edi Rama në Kuvajt, më 18 nëntor, e cila do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe do të shërbejë për të diskutuar të gjitha çështjet me interes të përbashkët.

Ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, Najeeb Al Bader shprehu kënaqësinë e tij për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve. Al Bader theksoi se vendimi i Shtetit të Kuvajtit për financimin e këtij projekti të rëndësishëm vjen në kuadër të mbështetjes që Kuvajti i jep angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të forcuar sundimin e ligjit, demokracisë, ndërmarrjen e reformave gjyqësore dhe ekonomike të domosdoshme, luftën kundër krimit të organizuar, si dhe reforma të tjera që kontribuojnë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Al Bader theksoi rëndësinë e këtij projekti mjaft domethënës dhe shprehu bindjen se ky projekt i qeverisë Shqiptare do të kontribuojë në përballjen me një numër sfidash. Ai theksoi edhe një herë rëndësinë e vizitës së ardhshme të Kryeministrit Rama në Shtetin e Kuvajtit, që sipas tij, do të hapë horizonte të reja në fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Të dy palët afirmuan besimin dhe dëshirën e përbashkët se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Kuvajtit do të dëshmojnë, në të ardhmen e afërt, ura të mëtejshme bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët.

SHKARKO APP