Dekriminalizim final ose zgjedhje të parakohshme

 

 

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Armando Prenga është arrestuar dje nga policia pas përfshirjes në një sherr me armë para komisariatit të Laçit. Nga përplasja me armë, pistoleta, thika dhe mjete të tjera të forta kanë mbetur të plagosur 7 persona. Policia tha dje se deputeti nuk ka qëlluar me armë, por vetëm me qytën e pistoletës. Familjaret e palës tjetër në sherr pretendojnë se deputeti ka qëlluar disa herë, madje flasin për dy pistoleta të përdorura dhe jo vetëm për një. Kjo është kronika e ngjarjes së djeshme. Cilado qoftë e vërteta dhe pavarësisht se cila palë u bë sebepi i sherrit masiv prej rreth 40 personash para policisë, faktet janë të rënda. Janë të rënda sepse një deputet, të paktën moralisht, duhet të jetë modeli i zbatimit të ligjit. Një deputet, apo dhe një qytetar, para se të marrë armën ka plot instrumente të tjerë ligjorë për të kërkuar zgjidhjen e problemeve. Nga komisariati i Laçit, “sherri” zbriti në selitë e partive në Tiranë. Opozita, mes shumë mëkateve që ka, këtë herë me të drejtë u hodh në sulm duke vënë në dukje se diçka e tillë e ka paralajmëruar prej dy vitesh. Me të drejtë, këtë herë kujtoi se dekriminalizimi nuk është një sajesë beteje politike, por është një fakt, siç është fakt që spitali i Laçit ka sot 7 të plagosur. Partia Socialiste përjashtoi dje nga radhët e saj deputetin Prenga, megjithëse nuk pati asnjë mbledhje formale të Grupit Parlamentar. Në emër të PS-së, deputetja Olta Xhaçka e cilësoi ngjarjen të turpshme dhe tha se “deputeti Prenga ka humbur të drejtën morale të jetë pjesë e PS-së”. Kryeministri Edi Rama, nga Vlora ku inspektoi operacionin e kuponave tatimorë e përdori ngjarjen për të krahasuar qeverisjen e tij  me atë të Sali Berishës. “Koha e të paprekshmëve ka ikur bashkë me Saliun!”,- tha Rama. Me kaq u mbyll dje komunikimi i mazhorancës për këtë çështje. Por kaq nuk mjafton. Një histori e përgjakshme me bilanc gati lufte nuk mund të mbyllet me një deklaratë të Xhaçkës dhe një cicërim në Tëitter të Ramës. Nuk mund të mbyllet, sepse ngjarja realisht ka qenë e paralajmëruar. Së pari, është paralajmëruar nga ambasadori amerikan, Donald Lu. Më shumë se një herë ka deklaruar që në Kuvend ka persona me precedentë të rrezikshëm penalë. Në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit janë përmendur fakte që tregojnë se mes mazhorancës por dhe opoyitës ka trafikantë. Është paralajmëruar nga opozita që megjithëse ka mëkatarët e vet brenda saj, formalisht ka kërkuar dekriminalizimin. Është paralajmëruar dhe nga media dhe zëra të veçantë në shoqërinë civile, që për aq mundësi sa kanë patur, kanë thënë ca të vërteta që politika nuk ka dashur t’i dëgjojë.

Fakti që mes mazhorancës ka persona me precedentë, tashmë dihet nga të gjithë. Ajo që nuk dihet dhe nuk kuptohet është se përse Kryeminsitri dhe drejtuesit e tjerë të mazhorancës  nuk pranojnë propozimin e PD-së për të vendosur me Kushtetutë që të përjashtohen mënjëherë dhe të mos guxojë njeri të syonjë më parlamentin. Ambasadorët u lodhën duke kërkuar nga Rama që të pastrojë partinë dhe politikën. Madje u kanë dhënë dhe emrat. Çfarë e pengon kryeministrin që të veprojë? Disa në PS thonë se emrat problematikë u morën nga Rama kur ishte në opozitë. I duheshin për të përballur represionin e Berishës. Por sot është në pushtet. Pse ka frikë t’i heqë? Mosveprimi tregon se ose grupimi i deputetëve është aq i fuqishëm që të bllokojë lëvizje të tilla, ose kryeministrit i bëhet shantazh dhe praktikisht është marrë peng, sic thoshte dje edhe Andi Bushati.Këto janë supozime, por vetëm në këtë mënyrë mund të krahasohet sot pafuqia e mazhorancës për të bërë një hapë të tillë. 

Për të rrëzuar këto hamendje dhe për të treguar se vërtet ka ikur koha e Berishës, kryeministri duhet të miratojë menjëherë dekriminalizimin e politikës. Tashmë nuk është më një tekë e opozitës, por një emergjencë kombëtare. Dekriminalizmi është edhe më emergjente sesa Reforma në Drejtësi. Sepse një reformë që mund të kalojë me votat e deputetëve të akuzuar dhe të paditur në Prokurori vetëm për drejtësi nuk mund të  flitet, të paktën moralisht. Është e kotë të bëhen aksione për energjinë, të futen në burg njerëzit që ndërtojnë pa leje, të ndiqen penalisht ata që vjedhin taksat, apo të gjobitën edhe ata që urinojnë buzë Lanës. Të gjitha këto duhen, por shteti ka nevojë për modele dhe deputetët me precedentë penalë janë modeli më i keq i kapjes së shtetit nga krimi. Që Rama të ndërtojë modelet e duhura duhet së pari të largojë shkelësit më të mëdhenj të ligjit, që sot janë vetë një pjesë e ligjëvënësve. Nëse ka rezistencë nga vetë deputetët në mazhorancës, ka vetëm një zgjidhje. Të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të pastrojë listat e deputetëve nga emrat problematikë.

Nëse e bën këtë Edi Rama do të hyjë në histori si kryeministri që bëri epokë dhe nuk pyeti asnjeri, bile as edhe karriken e tij të kryeministrit , por e pastroi politikën duke shkuar në zgjedhje të parakohshme .

SHKARKO APP