Dekriminalizimi, formularin deri në 5 maj ndryshe shkarkoheni!
Duke filluar nga sot e deri më 5 maj që është edhe afati i fundit, mbi 20 mijë punonjës të administratës publike do të rrezikojnë vendin e tyre të punës nëse nuk plotësojnë formularët e vetëdeklarimit.
Në një dalje për mediat, ministrja Milena Harito tha se çdo njeri që nuk ka bërë vetëdeklarimin deri në datën 5 maj që është subjekt i ligjit, shkarkohet automatikisht nga puna.
“Ka lidhje me aplikimin e ligjit për dekriminalizimin. Është e rëndësishme që gjithë administrata të dorëzojë formularët e vetëdeklarimit. Është një pjesë shumë e madhe e administatës që duhet ta bëjë këtë gjë. Mund të jenë mbi 20 mijë vetë që duhet të marrin formularin dhe ta dorëzojnë. Deri tani, gati 3 mijë vetë e kanë bërë, bëhet pranë Departamentit të Administratës, kemi krijuar një celulë të posaçme tek godina e Inovacionit pas Kryeministrisë. Është me rëndësi që çdo njeri të bëjë vetëdeklarimin sepse ligji e parashikon kështu. Çdo njeri që nuk ka bërë vetëdeklarimin deri në datën 5 maj që është subjekt i ligjit shkarkohet automatikisht nga puna. Është shumë e rëndësishme që gjithësecili të marrë përgjegjësinë e vetë, të sjellë formularin dhe Departamenti pastaj mes datës 5 dhe 10 maj do të bëjë listën e të gjithë atyre që nuk kanë bërë vetëdeklarimin”, sqaroi ajo.
Duke sjellë përvojën e saj personale, ministrja tha se nuk ka asnjë vështirsi në plotësimin e formularit.
“Formulari është shumë i thjeshtë, vetë e kam plotësuar sepse të gjithë duhet ta plotësojnë. Është fare i thjeshtë, është thjesht një vështirësi logjistike sepse janë shumë dhe e mira është që të mos mbeten për minutën e fundit sepse do të jenë radhët shumë të gjata pastaj”, përfundoi ministrja.
KOHA JONË SONDAZH

