Dekriminalizimi nis me “problematikët”, Celibashi: Verifikimi për Doshin dhe Tushen e PD sipas ligjit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka nisur verifikimin e thelluar të kandidatëve, pasi më parë partitë politike duhet të sjellin listat e korrigjuara. Komisioneri Shtetëror Ilirian Celibashi në një intervistë për Ora News nuk e mohon që ndërkombëtarët kanë interes të shtuar për disa kandidatë të veçantë dhe procesi i dekriminalizimit do të nisë pikërisht nga ata.
“Për disa kandidatë të pretenduar ka një interes të shtuar nga partnerët tanë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, nuk mund të injorohet nga ana e KQZ. Me siguri që do të ketë një vëmendje të shtuar, të paktën në kuptim të shpejtësisë.”
Kërkesës së Ambasadës Amerikane për mos lejimin e Tom Doshit që të marrë pjesë në zgjedhje, KQZ do t’i përgjigjet në bazë të legjislacionit shqiptar.
“Do ta bëjmë të gjithë vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur, ashtu sikurse e ka përcaktuar Kodi Zgjedhor, por edhe ligji për dekriminalizimin. Nuk kemi asnjë lloj hezitimi për askënd.”
Nëse Rezart Tusha do të jetë në listën zyrtare të PD në Durrës, pas akuzave publike të bëra nga PS, atëherë KQZ do të kërkojë informacion të detajuar Prokurorisë.
“KQZ mund dhe ka të drejtën që të angazhohet dhe të kërkojë investigimin dhe të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.”
Përballë pretendimit që PD mund të sjellë më shumë kandidatë se sa 153 emra të kërkuar nga KQZ, Celibashi vendos përballë interpretimin e KODIT.
“Vendimmarrje si për rastin e listave shumëemërore të paraqitur nga PD, ashtu sikurse për çdo parti tjetër, të jetë në përputhje të plotë me parashikimet e Kodit Zgjedhor.”
Përplasjet në Elbasan mes mbështetësve të PD dhe PS, Incidentit në zyrat e FRD-së apo gjuha e përdorur nga Rama për kandidatët e opozitës sipas Celibashit po e çojnë procesin drejt një situatë të rrezikshme,
“Qasje që qartazi kontribuon në drejtim të kundërt për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, sepse retorikat e tyre ndikojnë drejtpërdrejt te militantët politikë në raport me procesin zgjedhor.”
Standardi i zgjedhjeve të 25 prillit, sipas Celibashit, nuk varet nga kostoja monetare por nga sjellja e politikanëve.
“Jo çdo gjë e mirë kushton shtrenjtë, por në fund të fundit varet nga vullneti i partive politike.”
Premtimi i qeverisë Rama për votën e diasporës nuk do të bëhet e mundur në këto zgjedhje, pasi sipas Komisionerit është praktikisht e pamundur.