Del dokumenti, ja si u lirua Ermal Hoxha
Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha u lirua nga burgu tre vjet pas dënimit për akuzën e trafikut të drogës në tentativë. Hoxha është liruar me kusht dhe se ai e ka lënë qelinë ditën e premte, më 14 shtator. Ai u kap pas një operacioni të policisë në Xibrakë në 14 janar 2015, ku ishte ndërtuar një laborator droge që merrej me përpunimin e kokainës.
Ermal Hoxhës i ka mbetur edhe 1 vit e 6 muaj burg pa vuajtur nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në muajin nëntor 2017, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e nëntë të pandehurve për dosjen “Xibraka”, të cilëve iu njoh gjykimi i shkurtuar.
Rrjedhimisht, sipas trupës gjyqësore të Apelit, nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar secili nga të pandehurit përfiton një të tretën e uljes së dënimit. Mes të shpallurve fajtorë ishte edhe Ermal Hoxha, nipi i dikatorit Enver Hoxha, të cilit nga 10 vite burg që vendosi Shkalla e Parë, nga Apeli iu dha dënimi me 6 vjet e 8 muaj burgim.
Vendimi
“Gjykata e Fierit me gjyqtarin Piro Sota vendosi pranimin e kërkesës së Ermal Hoxhës për pezullimin e ekzekutimit të pjesës së mbetur të dënimit të të dënuarit Ermal Hoxha prej 1 viti e 6 muaj burg, me kusht që gjatë një afati prove të barabartë me pjesën e mbetur të dënimit, i dënuari Ermal Hoxha të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale”
Gjatë kësaj kohe Ermal Hoxha nuk do të shoqërohet me persona të dënuar. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier mban datën 13 shtator 2018
KOHA JONË SONDAZH

