Del në skenë marrëveshja PS-PD. Basha sulmon Metën dhe kërkon dorëheqjen e tij. Rama hesht

 

Lideri i opozites Lulzim Basha  ka vendosur që të shtunen të mbledhë kryesinë e PD-së për aksionin opozitar këtë vjeshtë, e cila mendohet realisht të jetë nga vjeshtat më me shumë tension politik mes mazhorances dhe opozites. PD kishte deklaruar në gusht se në shtator fillon stuhia antiRama për ta rrëzuar nga pushtetit me popullin përballë. Më pas u fol për një marrëveshje Rama-Basha-Berisha, të arritur nëpërmjet një pronari të rëndësishëm mediatik që në kohen e Berishës ishte plotpushtet dhe një multimiliarderi që mund të ketë një bashkëqeverisje Rama-Basha për reformat kushtetuese, por pa marrë pjesë opozita në qeveri. Kompromisi i fshehtë është bërë mes Rames dhe Bashes, nëpërmjet korriereve të besuar. Kjo gjë ishte hedhur poshtë nga të dy, me marifet. Sot doli në skenë pjesë nga marrëveshja e tyre. Kreu i opozitës u hodh në sulm total që Meta t'i dorëzohet drejtësisë. Kjo u bë pak orë pas publikimit të investigimit të BIRN, ku zbulohet, sipas tyre, se kreu i Kuvendit ka marrë rryfshfet nga një biznesmen, i cili kishte krijuar një kompani për mbledhjen e borxheve të CEZ. Materiali është servirur nga vetë qeveria shqiptare, natyrisht me kujdes.

“Firma e mikut të Kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën. Çështja është shumë e rëndë. Sic shprehen avokatët e qeverisë shqiptare, Clifof, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhë të mashtrimit dhe korrupsionit në vend.  Kjo është e papranueshme për ne, për qytetarët shqiptarë. Ne kërkojmë dorëheqje dhe dorëzimin para drejtësisë. Largimi i tij nga detyra është parakusht që cështje të zbardhet para drejtësisë.”,- tha sot Basha.Më tej lideri i opozitës përmendi se në të shkuarën Ilir Meta arriti t’i shpëtonte drejtësisë në sajë të ndikimit të tij mbi gjyqësorin, ndërsa u zotua se kësaj herë barazia para ligjit do të arrihet me çdo çmim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance pretendon se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.

Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj është në arrest, i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim, i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ, në bashkëpunim me ish kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek.

 Mëqënëse Edi Rama kërkon të bëjë ndryshime drastike në Kushtetutë, sidomos në sistemin e drejtësisë, dhe ka të drejtë në këtë reformë, kurse Ilir Meta duket se po kërkon që reforma të mos bëhet pa opozitën, që gjithsesi nuk është krejt meraku i LSI; ka mundësi që ketë menduar ta heqë qafe aleatin problematik Ilir Metën, pra mendohet në selinë e LSI-së se kryeministri Rama të ketë thirrur në skenë Lulzim Bashën. Armiq të dy, por “miq” për të ngrënë kokën e Metës tashmë me trup të zvogluar nga pesha e vitit të fundit. Ndaj ka mundësi që “rrjedhja” e këtij informacioni që mori dhenë, dhe shkruar bukur nga një agjensi e pavarur që financohet nga SHBA, të jetë bërë në akord mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.Nëse është dhe ambasadori Lu në lojë atëhere ka tjetër skemë goditja ndaj Ilir Metës. Porse po vazhdojmë me mendimin se Rama kërkon të palosë Ilir Metën me një akuzë të rëndë korrupsioni,ku falë goditjeve të bëra në këto vite kundër ish-kryeministrit socialist, besohen nga publiku. Pra Rama e hedh në “kopshtin” e luanëve të PD-së për ta shqyer Metën dhe kënaq oreksin e Bashës për të treguar në selinë blu se “jam i fortë dhe e hëngra një kokë”, kurse Rama qetësohet se nuk ka më nëpër këmbë LSI-në e Metës, e cila i mori mbi 270 mijë vota me 21 qershor të këtij viti. Plus kësaj kënaq orekset e një pjese të deputetëve të PS-së që mezi presin të bjerë Meta e të përlajnë nga "kopshti i LSI" në qeverisje.

Ndaj Lulzim Basha doli sot dhe kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës dhe thirrjen e popullit opozitar nëse Meta nuk ikën nga kreu i parlamentit. Akuza është edhe me e besueshme, sipas Bashës, sepse ka dalë nga avokatët e qeverisë.

Pra Ilir Meta duket se është mes dy zjarreve; të Ramës dhe të krejt opozitës.

Edi Rama me këtë dalje të Lulzim Bashës shpreson t’ia ul pikët e forcën LSI duke e detyruar të mos këmbëngulë fort në ndryshimet kushtetuese si dhe duke i thënë Metës se President Republike nuk bëhesh në vitin 2017, porse do të jetë Mimi Kodheli ose Lindita Nikolla. Mbetet të shikohet se si do të reagojë Ilir Meta; duke e copëtuar nga brenda Ramën me deputetë të tjerë që do t'i ikin PS-së (sikurse po bisedohet nga LSI me 5 deputetë të PS) apo duke qëlluar fort me top selinë e qeverisë, pra duke i hequr numrin 71 që të mos e bëjë me asnjeri dhe duke rrëzuar Edi Ramën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Llogaritë e LSI-së janë se nga 270 mijë vota që mori në zgjedhjet lokale, edhe sikur të përgjysmohen në zgjedhje politike përsëri do të ketë minimumi 10 deputetë që do të thotë as PS e as PD nuk e bën pushtetin.

Ndërkohë ka reaguar edhe kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili se "Meta e ka tejkaluar "planin" e dorëheqjeve dhe se kerkesa e opozitës do të trajtohet në parlament". Eshtë përgjigje e Metës me shumë për kryeministrin Rama.

Pra "takohemi në parlament" është si përgjigje për Ramën,sepse nuk i dihet se si luhet "pokeri politik" nga PS-PD në PD-LSI !

 

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?