Del nga burgu shtetasi turk, Selami Simsek: Ju lutem mos më dërgoni në Turqi
Gjykata e Apelit Tiranë pranon kërkesën e shtetasit turk Selami Simsek për ta liruar nga qelia për shkak se i ka mbaruar afati i paraburgimit.
Vendimi për lirimin e tij u dha këtë të hënë vetëm pak orë pasi nëpërmjet avokatit mbrojtës, Elton Hysenit, Simsek depozitoi në Gjykatën e Apelit kërkesën për shuarje të masës së sigurisë. Sipas avokatit, Simsek e ka shlyer dënimin me afatet e paraburgimit, afat ky i cili i ka mbaruar më datë 7 Mars.
Selami Simsek u dënua me 1 vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për falsifikim të vizave. Ai u arrestua në gusht të vitit të kaluar në aeroportin e Rinasit bashkë me mikun e tij Harun Çelik, me dyshimet se tentuan të kalonin me vizë kandaze të falsifikuar. Simsek, është mbështetës i Lëvizjes “Gylen”, ndaj së cilës Presidenti Erdogan ka nisur një fushatë të egër përndjekjeje.
Sipas avokatit, nëse autoritetet shqiptare e dëbojnë atë në Turqi në mënyrë të kundraligjshme, do të bëjë kallëzim penal.
Sipas avokatit Hyseni, duke u bazuar në ligj, klienti i tij Selami Simsek nuk mund të dëbohet, për aq kohë sa procesi do të nisë në Gjykatën e Apelit. Kjo çështje tashmë është dërguar edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe në përgjigjen zyrtare të kthyer nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut, thuhet se kërkesa është dorëzuar në zyrat përgjegjëse për tu shqyrtuar.
Selami Simsek ka bërë edhe kërkesë për azil në vendin tonë, të cilën e dorëzoi me postë tek Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit. Por, me daljen e tij tashmë nga qelia, pritet që Simsek të paraqitet pranë këtij institucioni duke përforcuar edhe një herë kërkesën e tij.
Në kërkesën për azil, Simsek shprehet se në vendin e tij, në Turqi atij i rrezikohet jeta, pasi e konsiderojnë mbështetës të lëvizjes së klerikut, Fetullah Gylen.