Delegacioni i Parlamentit Gjerman, mbështetje për zbatimin e reformës në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, priti në një takim anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Konsumatorit në parlamentin gjerman.

Delegacioni i kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni Stephan Brandner, përbëhej nga përfaqësues të të gjithë spektrit politik të Bundestagut: CDU/CSU, SPD, FDP, Të Majtët, Aleanca 90/Të Gjelbrit dhe AfD.

Në qendër të diskutimit ishin reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, të cilat synojnë forcimin e shtetit ligjor në vend dhe njëkohësisht përmbushjen e standardeve të kërkuara nga procesi i integrimit evropian të vendit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministrja Gjonaj falenderoi deputetët gjermanë për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në familjen evropiane dhe i ka siguruar se Qeveria është e fokusuar maksimalisht në plotësimin e të gjitha prioriteteve të kërkuara për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këtë kontekst një vend të rëndësishëm zë Reforma në Drejtësi. Sipas ministres Gjonaj, rezultatet e para të procesit të Vetingut janë pritur me optimizëm.

Deputetët gjermanë shprehën interes lidhur me ecurinë e reformës, krijimin e institucioneve të reja të Drejtësisë dhe bllokimin e amendamenteve të paketës së reformës në parlament.

Lidhur me çështjen e ngritur nga delegacioni gjerman për mënyrën se si do të plotësohen vakancat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të krijuara nga vetingu, Ministrja Gjonaj është shprehur se mazhoranca ka bërë përpjekjet maksimale për miratimin e ndryshimeve ligjore për kuotat e reja për Shkollën e Magjistraturës, miratim i cili nuk u arrit për shkak të mosvotimit të tyre nga opozita.

“Tani pritet ngritja e dy këshillave me qëllim që të përcaktohet numri i studentëve që do të ndjekë Shkollën e Magjistraturës për t’u përfshirë më pas në sistem si gjyqtarë ose prokurorë” tha Gjonaj.

Masat antikorrupsion të Qeverisë ishin një tjetër temë e rëndësishme për të cilën deputetët gjermanë treguan interes të veçantë.

Gjonaj bëri një prezantim të planit të masave që po zbatohet, në funksion të Strategjisë Antikorrupsion.

Sipas ministres, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim është duke luajtur platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, në të cilën qytetarët kanë mundësi të denoncojnë çdo akt korruptiv që ata konstatojnë në institucionet shtetërore.

Nga ana e tij, Kreu i Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Konsumatorit, Stephan Brandner, theksoi se Qeveria Shqiptare do të vazhdojë të ketë mbështetjen e plotë të Gjermanisë për të gjitha reformat e ndërmarra, me qëllim që të shpejtohet rruga e integrimit në Bashkimin Evropian.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?