Dëmtohen muret e kalasë së Lezhës, autorë janë 4 të mitur
Katër të mitur janë autorët që dëmtuan muret e kalasë së Lezhës dy ditë më parë. Burime pranë policisë së Lezhës bëjnë me dije se të miturit e përdornin oborrin e kalasë për të luajtur top, ndërsa së fundmi, roja i kalasë nuk i ka lejuar që të futen pa prerë biletat. Katër të miturit nga mosha 13 deri në moshën 15 vjeç, ka gjuajtur rastin kur në zyrën e informacionit nuk ndodhej njeri dhe kanë shtyrë shkëmbinjtë nga muret e kalasë duke i hedhur.
Të miturit janë marrë në pyetje në komisariatin e policisë së Lezhës në prani të psikologut dhe më pas janë lënë të lirë.
Akti vandal ka ndodhur gjatë natës duke u gdhirë e diel. Gurët e mureve u hodhën mbi zyrën e informacionit e cila është shkatërruar thuajse plotësisht.
Dëmtimi është konstatuar mëngjesin e së dielës nga punonjësit e kalasë të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Sipas specialistit të Monumenteve të Kulturës Ded Margjoni dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm.
Kjo është e disata herë që Kalaja e Lezhës dhunohet nga persona të papërgjegjshëm, por jo në përmasa të tilla. Në këtë monument kulture mungon roja gjatë natës apo survejimi me kamera vëzhgimi, çka do të minimizonte dëmtimin e mureve antike.