Dëmtohet “pallati VIP”, i vihet shiriti ndërtesës së aktorëve dhe këngëtarëve të njohur
Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha në të ashtuquajturin pallat i VIP-ave.
Madje tashmë ai është shpallur i pabanueshëm.
Në të kanë banuar këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, aktori Fadil Hasa, por edhe drejtues institucionesh të asaj kohe, hetues dhe prokurorë.
Ndërkaq banorët e lagjes 4 në Durrës ankohen se ende pa u bërë ekspertiza ndërtuesi po nxiton të mbulojë dëmtimet.
Banor: “Ky pallat ka qenë i pabanueshëm. Sepse bashkimi i pallateve ka qenë çarë deri në fillim. Ka qenë i mbuluar me gips për ti hedh hi në sy banorëve. Ditën e parë që është shembur pallati kanë ardhur dy punëtorë. Ndalova makinën, i thashë çfarë doni ju këtu. Po e pastrojmë që të mos kemi probleme. I thashë se nuk duhet të preket asgjë pa ardhur prokuroria.”
Banore: “Kanë ardhur për të pastruar gjurmët dhe nuk ka ardhur dikush të na sqarojë. Shiriti është hequr nga pronarët e pallatit. Nuk na futen më fëmijët në këtë shtëpi.”
Nëntë ditë pas tërmetit, durrsakët duket se po i kthehen jetës normale duke rikthyer jetën në qytetin, i cili u braktis për thuajse një javë.
/Ora News