Denaj: Fshehja e bilanceve, ngërç për kreditimin

Fshehja e bilanceve financiare është kthyer në një ngërç për kreditimin e bizneseve nga sistemi bankar. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u bëri apel sipërmarrjeve, në veçanti atyre të mesme e të vogla, që të deklarojnë gjendjen reale të kompanive, në mënyrë që të mos përjashtohen nga mundësitë për financim.

”Pasqyrat financiare për sistemin bankar sot janë një ngërç për të rritur ekonominë përmes kreditimit. Prandaj është e rëndësishme që të shikojmë se si ky ngërç të lirohet. Një biznes i shëndetshëm edhe në pasqyra financiare tregon ku qëndron biznesi me realitetin por edhe kur do të shkojë”. Deklaratat e ministres u bënë gjatë konferencës mbi sfidat e raportimit financiar organizuar nga Deloitte Albania dhe Kosova. Sipas Maksim Caslli, drejtorit ekzekutiv të Deloitte, pasqyrat financiare u shërbejnë edhe vetë pronarëve të një biznesi.

”Ka shumë sot që mendojnë se pasqyrat financiare janë vetëm për efekte taksash, që nuk është e vërtetë. Përdoruesi është ai që është më i rëndësishmi në to, nuk është thjesht pronari, apo maksionerët. Nga ana tjetër janë palët e treta, ata që kërkojnë të blejnë një biznes, ose në rastin e bankës, të japin kredi për një biznes”. Sipas një ankete zhvilluar me shefa të financave të sipërmarrjeve në Europën Qendrore, bizneset shqiptare janë relativisht besimplotë për ecurinë e kompanive të tyre, por ndër më pesimistet dhe të pasigurtët për zhvillimin e ekonomisë dhe perspektivën për të investuar.

SHKARKO APP