Denaj: Lehtësohet barra fiskale nga 1 janari, përfitojnë mijëra biznese
“Me lehtësitë e ndërmarra së fundmi dhe që hyjnë në fuqi në 1 Janar të vitit të ardhshëm, biznesi i vogël në vend është çliruar plotësisht nga tatim-fitimi dhe TVSH-ja, duke i dhënë një frymëmarrje të re aktivitetit të tyre të përditshëm”. Ishin këto fjalët e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila krahas drejtores së Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, zhvilloi disa takime me sipërmarrjet e kryeqytetit.
“Edhe pse ishte një vit mjaft i vështirë, jo vetëm për biznesin dhe të punësuarit por edhe për qeverinë, kemi arritur përmes masave lehtësuese të zbusim efektet e kësaj krize, që ka mbërthyer gjithë globin”, tha Denaj.
Nga heqja e TVSH me një xhiro nën 10 milion lekë, sipas ministres, përfitojnë mbi 46 mijë biznese në gjithë vendin, nga të cilat mbi 21 mijë janë të Tiranë. Ndërsa numri i bizneseve që përfitojnë nga zerimi i tatim fitimit është 111 mijë biznese në të gjithë vendin, nga të cilët afro 45 mijë biznese në kryeqytet.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha, se me masat e ndërmarra në ndihmë të biznesit synohet që administrata tatimore të jetë në rolin e mbështetësit dhe konsulentit të biznesit.