Denaj në Vlorë: 1.5 miliard lekë për fermerët

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj së bashku me të deleguarin e qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi, Kryetarët e bashkive të Vlorës dhe Selenicës, Ermal Dredha dhe Nertil Bellaj, prezantoi sot Skemën Kombëtare të Investimeve në bujqësi, për fermerët e qarkut të Vlorës. Denaj theksoi se aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi janë hapur që prej 30 shtatorit. Kjo nismë e qeverisë shqiptare synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e këtij sektori.

”Kemi mundësuar një fond prej 1.5 mld lekësh në formën e një granti prej 50% për investimet kryesore në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve”, tha Denaj.

Të gjithë fermerët, të cilët kanë një NIPT fermeri, shoqëritë tregtare të angazhuara në këtë sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë, e cila do të jetë e hapur deri më 8 nëntor. Pikat agro janë në dispozicion për të dhënë të gjitha shpjegimet e duhura për të gjithë pyetjet e fermerëve, për t’ju mundësuar një proces të lehtë dhe të suksesshëm.

“Është një Skemë Kombëtare, që vijon skemën e fillimit të vitit, të subvencioneve të drejtpërdrejta dhe kështu kompleton një cikël të mbështetjes financiare, që Qeveria Shqiptare ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, i cili jo vetëm angazhon një numër të konsiderueshëm punonjësish, por mbi të gjitha është një motor i zhvillimit të ekonomisë tuaj familjare, ekonomisë së përgjithshme shqiptare dhe na bën krenar sot në 80 tregje elitare”,-u shpreh Denaj në përmbyllje të fjalës së saj.

SHKARKO APP