Denaj: Reformat kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit

Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit. Kështu u shpreh sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë aktivitetit të zhvilluar për prezantimin e Indeksit të Politikave të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2019 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, nga OECD. Ministrja theksoi se qeveria shqiptare është angazhuar prej disa vitesh, në zbatimin e reformave për konsolidimin e stabilitetit makroekonomik në vend, të cilat kanë bërë të mundur që në vitin 2018, Shqipëria të shënojë rritje ekonomike prej 4,3%, më të lartën e 10 viteve të fundit, si dhe një shkallë të ulët papunësie prej 12,3%.

Duke pasur parasysh faktin se rreth 99,8% e kompanive në Shqipëri janë Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, Ministrja tha se, kjo e vendos qeverinë përpara një përgjegjësie shumë të madhe të reformave që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë në të ardhmen. Gjithashtu, Ministrja përmendi disa nga lehtësitë që ofrohen sot për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, si mbështetja buxhetore nëpërmjet fondeve që menaxhohen nga AIDA, por edhe përfitimet nga projekte që ofrohen me mbështetjen e donatorëve, si BE, GIZ apo BERZH.

Duke iu referuar rezultateve të raportit të OECD, ministrja Denaj tha se ato do të shërbejnë si nxitje për qeverinë shqiptare në hapat që do të ndërmerren në të ardhmen për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të të bërit biznes. “Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që të jemi më afër biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti, për të krijuar një klimë jo vetëm më të mirë dhe të përshtatshme biznesi, por dhe për të stimuluar me politika shtesë nevojat e tyre për zhvillim në të ardhmen, dhe që këto indekse në vlerësimin e tyre të radhës të jenë më pozitive”, u shpreh Denaj.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?