Denaj: Zbatimi i reformave strukturore ka rritur aftësitë konkurruese në vend

Shqipëria në dekadat e fundit është transformuar ekonomikisht, duke i hapur rrugën një tregu me potenciale dhe mundësi jo vetëm në terma të burimeve natyrore por edhe të kapitalit njerëzor. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila mori pjesë në konferencën e organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi të ardhmen e banking-ut vlerësoi se rritja ekonomike e qëndrueshme dhe konsolidimi i kuadrit makro-fiskal në vitet e fundit i kanë shërbyer uljes së papunësisë dhe përthithjes së investitorëve të huaj.

Megjithatë, ministrja vuri theksin në disa elementë të rëndësishëm në sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme në afatmesëm, si fokusimi në sektorë me potenciale për zhvillimin ekonomik, si turizmi apo bujqësia, rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit të mesëm, aksesin në finance, si dhe formalizimin e ekonomisë. “Duhet të kemi fokus në strukturën e ndikimit në rritjen ekonomike dhe mbi të gjitha në potencialet ekonomike që ka vendi ynë në disa sektorë, siç është ai i bujqësisë apo turizmit dhe, në këtë aspekt, kuptohet që zhvillimet infrastrukturore janë të rëndësishme, po jo vetëm. Rritja e konkurrueshmërisë së biznesit të mesëm në Shqipëri, formalizimi i ekonomisë dhe aksesi në finance vijnë si elementë të domosdoshëm për t’a bërë këtë rritje të qëndrueshme në terma afatmesëm”, u shpreh Denaj.

Perspektiva ekonomike në terma afatmesëm, tha ajo, mbetet pozitive, me një nivel mesatar inflacioni në nivelet e 2% dhe me një politikë monetare stimuluese. Gjithashtu, Denaj vlerësoi edhe zhvillimet në sektorin bankar, i cili sot është i mirë kapitalizuar dhe fitimprurës, duke shërbyer si një katalizator në rritje për kreditimin e sektorit privat, ndërsa niveli i kredive të këqija ka zbritur në nivelet e 11.2%. Ministrja Denaj shprehu angazhimin për të vijuar reformat dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional në sektorë të ndryshëm, në mënyrë që të mundësohet një rritje ekonomike e qëndrueshme, në nivelin prej 3-4%.

“Zbatimi i reformave të administrimit fiskal si pjesë e reformave më të gjëra strukturore do të ndihmojë rritjen e aftësisë konkurruese, rritjen e produktivitetit dhe nxitjen e inovacionit duke siguruar kushte të barabarta konkurrence ndërmjet lojtarëve në treg”, u shpreh Denaj. Ministrja përmendi disa nga ndryshimet ligjore kryesore që janë ndërmarrë së fundmi, si ligji i Unifikuar i Investimeve në bashkëpunim me IFC, projektligji Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, ndërsa në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë synohet përmirësimi i kuadrit ligjor financiar për Sistemet e Pagesave apo për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive. Denaj tha më tej tha se vetëm përmes reformave të integruara me të gjithë aktorët mund të shkohet përpara drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

SHKARKO APP