Dënimi me 10 vite burg për burrat që rrahin gratë, ja deputetët që dolën kundër
Disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor kanë kundërshtuar propozimin e dy deputetëve të Partisë Socialiste Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni, për ndryshimin e Kodit Penal, për dënimin deri në 10 vite burg për burrat që rrahin gratë. Report Tv ka zbardhur edhe diskutimet në Komisionin e Ligjeve për projektligjin. Deputetja dhe relatorja Vasilika Hysi ka mbështetur kriminalizimin e dhunës psikologjike, por jo ashpërsimin e dënimit. Zonja Hysi ka deklaruar se “Nuk është politika penale dhe ashpërsimi i dënimit ajo që mund të parandalojë dhunën në familje. Më vjen keq që e them. Politika penale, duke ashpërsuar dënimin, nuk do të ishte mjeti më i mirë… Të shohim për një zbatim më të mirë të Kodit Penal dhe masa alternative”.
Deputeti i PS, Fatmir Xhafa, ka pohuar se “nuk bie plotësisht dakord për mënyrën se si janë shkruar amendamentet dhe me masat e dënimit. Propozohet një rritje e ndjeshme e dënimit. Besoj se kjo është në kundërshtim me parimin e propocionalitetit, parimin e ligjshmërisë dhe me çdo parim tjetër të së drejtës penale. Në paragrafin e katër masa e dënimit është tepër e rëndë. Le të imagjinojnë dy raste, një baba apo një nënë, gjatë një muaji, godet dy herë fëmijën me pëllëmbë. A meriton deri në 10 vjet dënim me burg se është e përsëritur? Nëse kjo ndodh vetëm një herë të vetme, por ndodh në sy të vëllait apo të motrës, a meriton prindëri deri në 10 vjet burg? Problemi nuk duhet parë vetëm në ashpërsimin e dënimit, por në gjetjen e mekanizmave që rrisin efikasitetin e zbatimit të ligjit. Ndoshta duhet të shtyhen për një kohë të dytë, por masat e dënimit duhen parë domosdoshmërisht”.
Deputetët e opozitës Alban Zeneli, Ralf Gjoni dhe Korab Lita janë pozicionuar kundër, jo për shkak të dënimit, por më shumë për amendamentin në lidhje me thyerjen e karantinës.Ndërkaq, sipas raportit që Komisioni i Ligjeve ka përgatitur për këtë projektligj, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka theksuar se dënimet e propozuara për burrat që rrahin gratë janë shumë të ashpra. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka sugjeruar rishikimin e dënimeve të propozuara. Të njëjtën gjë ka sugjeruar edhe Avokatja e Popullit, duke kërkuar që dënimet për dhunën në familje të jenë proporcionale. Prokuroria e Përgjithshme ka pohuar se këto ndryshme janë të panevojshme.
Misioni EURALIUS ka rekomanduar vetëm rishikimin e përfshirjes së kategorisë së ¨personave në lidhje intime¨, duke mos kundërshtuar masën e dënimit. UNDP Albani ka kërkuar ndryshimet e propozuara të shtrihen edhe tek dhuna e ushtruar ndaj personit në kujdestari, ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerësoi ashpërsimin e dënimit për rastet e dhunës në familje. Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale e kanë mbështetur dënimin maksimal deri në 10 vite burg për dhunuesit përsëritur dhe kur dhuna ushtrohet në sytë e fëmijëve. /Report.al/