Denisa dhe Nervida përmirësohen pas aksidentit tragjik
Denisa Dibra dhe Nervida Garunja, dy vajzat që i mbijetuan aksidentit tragjik në dalje të tunelit të Krrabës, janë jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se dy vajzat e reja tashmë janë stabilizuar dhe kanë arritur të komunikojnë me familjarët e tyre, por ende nuk dinë që janë të vetmet e mbijetuara.
Ato kanë pyetur por të afërmit, për të mos u dhënë lajmin e kobshëm, u janë shmangur interesimit të vajzave duke u thënë ”janë mirë”. Nervida Garunja nuk e di që ka humbur të motrën gjatë përplasjes fatale, Lusindën, e cila u shua në ditën e saj të lindjes. As Nervida dhe as Denisa nuk dinë se shoqja e tyre Xheneta Qallia nuk jeton më.
Lusinda dhe Xheneta ishin dy viktimat e aksidentit tragjik, që ndodhi më 13 shtator, pasi të katra vajzat kishin dalë të festonin ditëlindjen e të parës. Ato po udhëtonin në tunelin e Elbasanit kur në dalje të tij u goditën nga pas nga një makinë tip “Benz” që drejtohej nga Behar Pema. Ky i fundit rezultoi i dehur në testin e alkoolit dhe u arrestua.