Denoncimi i PD-së: Tërmeti i vjedhjes zhduku 1 mln euro në 2 shkolla të rikonstruktuara në Thumanë dhe Borizanë
“Shkolla ka qenë dy katëshe. Është bërë rikonstruksioni i kësaj shkolle para një muaji e gjysmë. Me datë 26 nëntor është shembur. Me datë 27 nuk ka pasur asnjë tullë, siç e shikoni tani”, deklaroi Dashamir Hidraliu, sekretari i degës së PD-së Krujë që humbi motrën dhe nipin në pallatin e shembur në Thumanë.
Bëhet fjalë për shkollën “Ramazan Jangozi” në Thumanë, e cila vetëm pak ditë para rënies së tërmetit ishte rikonstruktuar tërësisht.
Lëkundjet e 26 nëntorit e rrafshuan plotësisht, e ndërkohë 1 ditë më pas, gjurmët u fshinë.
Ish-deputetja, Albana Vokshi, jep dhe shifrat se sa ka kushtuar rikonstruksioni duke akuzuar për korrupsion.
Albana Vokshi: Nga informacionet që ne kemi, rikonstruksioni ka kushtuar mbi 580 milionë lek, nëse shtojmë edhe fondet për kompaninë që mbikëqyr punimet, në total mbi 650 milionë lekë. Tani është një shkollë fantazëm. Nuk ekziston.
Por i njëjti denoncim vjen dhe nga sekretari ligjor i Partisë Demokratike, Çlirim Gjata, por këtë herë nga shkolla e Borizanës.
Çlirim Gjata: Ka të njëjtën specifikë si në Thumanë ku u zhdukën gjurmët, është rikontsruktuar rreth 550 mijë euro. Pak ditë përpara inaugurimit, ka ndodhur tërmeti dhe tani është jashtë funksionit. Duhet të bëhet nga e para, sepse është e rrezikshme për jetën e fëmijëve.
Sipas ish-deputetes Vokshi, situatën e bën më të rëndë fakti që askund nuk gjenden dokumentet e tenderimit të shkollave, të cilat së bashku kanë kushtuar rreth 1 milionë euro.
Albana Vokshi: Janë mbi 1 milionë euro të zhdukura. Në Thumanë, nga shkolla 9 vjeçare “Ramazan Jangozi” kanë mbetur vetëm një grusht tullash të thërrmuara, pasi ajo u prish me shpejtësi nga qeveria, e cila, bashkë me dokumentet e tenderit, ka zhdukur çdo gjurmë për përgjegjësit e shembjes së shkollës.
Zyrtarët e Partisë Demokratike premtuan që do ta trajtojnë si vjedhje shtetërore dhe do ta dërgojnë në prokurori.