Denoncuan masakrën e pyjeve në Librazhd, plumba gazetarëve dhe inxhinierëve

Sulm i armatosur ndaj gazetarit të Librazhdit, Agim Blloshmi,  dhe gazetarit Kristaq Binjaku si dhe dy inxhiniereve te pyjeve Ahmet Mehmeti dhe Patrit Kuka që ishin së bashku me ta. Ata  janë shoqëruar nga policia fillimisht drejt komisariatit për të dhënë  dëshmi  mbi sulmin dhe më pas drejt familjeve te tyre. Agim Blloshmi, Kristaq Binjaku dhe dy inxhinierët u sulmuan mbrëmë me armë nga një grup kontrabandistësh drush në fshatin Stranik të Librazhdit. Dy gazetarët dhe dy inxhinierët e pyjeve që i shoqëronin po përgatisnin një reportazh për masakrën në pyje dhe kontrabandën e druve.

Sipas dëshmive rreth 10 persona u kishin bërë pritë dhe qëlluan ndaj tyre. Blloshmi arriti të fshihej në mes të pyllit, por fatmirësisht edhe gazetari Kristaq Binjaku dhe dy personat e tjerë kanë arritur që t’i shpëtojnë plumbave. Drejtori i policisë së Elbasani, Alfred Çepe dhe policia e Librazhdit angazhuan forca të shumta për të kapur autorët në vendngjarje. Autorët u larguan me shpejtësi ndërsa Policia siguroi jetën që ishte në rrezik të dy gazetarëve dhe dy inxhinierëve, duke i rikthyer në banesat e tyre.   Hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

SHKARKO APP