Deputet që në moshën 28 vjeçare, sot ministër i Brendshëm. Profili politik i Taulant Ballës

Taulant Balla do jetë ministri i ri i Brendshëm, duke zëvendësuar në këtë detyrë Blendi Çuçin, sapo të marrë dritën jeshile nga presidenti i Republikës.

Taulant Balla lindi më 12 gusht të vitit 1977 në Librazhd, ku ndoqi shkollën fillore dhe të mesme. Me rezultate të larta ai kreu studimet dhe masterin për shkenca politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Alexandru Ioan Cuza” në Iasi të Rumanisë. Hyrja e tij në politik nisi në vitin 2004-2005 ku shërbeu si anëtar i kabinetit të kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano.

Balla u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas zgjedhjeve të 2017, për shkak dhe të rezultatit të mirë të arritur Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist. Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, ai u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.

Përgjatë gjithë kësaj kohë ai ka qenë një ndër zërat më të fuqishëm të mazhorancës aktuale, dhe shpesh herë është akuzuar nga opozita si i përfshirë në afera kriminale, mes të cilave mund të përmendim atë të “Toyota Yaris”. Balla mban ende detyrën e kreut të grupit të PS në Kuvendin e Shqipërisë dhe drejtuesit politik të qarkut Fier.

SHKARKO APP