Deputetët e Brukselit në Tiranë për negociata, çfarë i kërkon qeverisë dhe opozitës kreu i delegacionit
Ardhja e 7 eurodeputetëve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian rastis me periudhën kur deputetët e opozitës kanë dorëzuar mandatet dhe kanë nisur protestat.
Mësohet se vizita e tyre është programuar tre muaj më parë, si pjesë e marrëdhënieve Parlament Europian-Shqipëri. Kreu i delegacionit dhe eurodeputeti i Partisë Popullore, Tune Kelam, u ka kërkuar qeverisë dhe opozitës që të zgjidhin këtë situatë me anë të dialogut konstruktiv.
“Ne dënojmë me forcë retorikën politike që nxit dhunën dhe i kërkojmë opozitës që të riangazhohet me jetën parlamentare. Qeveria dhe opozita duhet ta kapërcejnë këtë situatë nëpërmjet dialogut konstruktiv”, është shprehur Tune Kelam.
Në Shqipëri ata parashikohet të takojnë Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së Lulzim Basha. Pas Shqipërisë, 7 eurodeputetët do të udhëtojnë drejt Shkupit.
BRUKSELI
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, e cilësoi dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës si pengim të zhvillimit të demokracisë.
“Vendimi i opozitës për djegien e mandateve pengon funksionimin e demokracisë në Shqipëri, sepse Parlamenti është në fakt vendi ku reformat duhet të diskutohen dhe të çohen përpara duke mos u bojkotuar”, u shpreh Koçijançiç. Lidhur me djegien e mandateve, Koçijançiç tha se “këto vendime konsiderohen joproduktive, ato shkojnë kundër zgjedhjes demokratike që qytetarët shqiptarë kanë bërë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian”. “Ne presim që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idetë dhe parimet e demokracisë, duke vazhduar të shërbejnë në Parlament dhe të marrin masat e nevojshme për të parandaluar aktet e dhunës dhe deklaratat për dhunë. Kjo deklaratë ende, sipas pikëpamjes sime, është në fuqi. Ju duhet të kujtoni se ne kemi shprehur pritshmëri të qarta se qeveria dhe opozita duhet të përfshihen në diskutime konstruktive me perspektivën për të kapërcyer situatën aktuale politike në përfitim të qytetarëve shqiptarë. Kjo është një deklaratë e qartë që mbetet e vlefshme”, tha ajo.
Lidhur me ecurinë e procesit të vetingut, Koçijançiç tha se “së pari, është e rëndësishme të theksohet se vëzhguesit e misionit ndërkombëtar të monitorimit po e ndjekin nga afër procesin e vetingut dhe ata janë të përfshirë në çdo aspekt të kuadrit të vetingut për të garantuar në mënyrë të veçantë cilësinë e këtij procesi”. Sipas nesh, tha Koçijançiç, “cilësia e procesit nuk mund të sakrifikohet për të shpejtuar procesin”.
“Ekziston një marrëveshje mbi këtë mundësi unike për ta bërë procesin e vetingut duke rikthyer besimin e publikut nëpërmjet këtij procesi të gjatë. Që kur ky proces filloi, vetingu ka prodhuar rezultate konkrete bazuar në hetimet dhe kontrollet e kryera dhe ne do t’i shohim nga afër këto rezultate gjatë përpilimit të raportit të Komisionit Europian lidhur me çështjen e zgjerimit, që do të jetë gati në pranverë. Ne i përmbahemi idesë se raporti do të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor”, tha Koçijançiç.
Delegacioni i PE përbëhet nga 7 eurodeputetë.
Tunne Kelam (Kryesues)
Cristian Preda
Knut Fleckenstein
Juan Fernando Lopez Aguilar
Bas Belder
Ilhan Kyuchyuk
Tamás Meszerics
KOHA JONË SONDAZH

