Deputetët e rinj, Haxhinasto: Nuk përfaqësojnë LSI-në

Ish-deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto, në një intervistë për ”Ora News”, thotë se deputetët e rinj që ishin kandidatë të LSI-së për zgjedhjet e 2017, nuk përfaqësojnë sot në Kuvend këtë forcë politike. ”Këta janë përfaqësues që kanë konkurruar me emrin, me siglën dhe programin e LSI-së. Për sa kohë këta të jenë brenda kësaj force politike, do të jenë të detyruar të marrin pjesë në vendimmarrjen politike të kësaj force politike. Dhe kur merrte vendimi atëherë ai është i detyrueshëm për të gjithë”.

Pjesë nga intervista:

Përveç se në fillim u duk se ishte një vendim unik i opozitës së bashkuar, LSI-së, PD-së dhe aleatëve për djegien e mandateve, më pas ajo ka u vu re ishte se paralelisht me këtë vendim pati edhe nga ata deputetë, sidomos nga radhët e LSI-së, të cilët vendosën të mos ta respektojnë vendimin politik të LSI-së më konkretisht. Si e shikoni ju këtë vendim?

Mendoj se kjo është shumë e qartë. Ata kanë qenë përfaqësues të LSI-së në listat ku kanë konkurruar dhe çdo vendim politik jashtë vendimit unik që ka pasur forca politike e LSI-së nëpërmjet strukturave të saj, në forumet e saj, tashmë është bërë e qartë, që nuk përfaqëson aspak as formalisht, as juridikisht, as në aspektin politik LSI-ne. Kështu që ata nuk janë më përfaqësues të LSI-së.

Nga ana tjetër ajo që po ndodh është se nga listat e partive parlamentare opozitare po krijohet ajo që cilësohet tashmë opozita e re. Për kryeministrin, për mazhorancën dhe për ndërkombëtarët kjo opozitë është cilësuar si legjitime. Për LSI-në dhe opozitën në tërësi nuk është e ligjshme kjo opozitë. Përse sipas jush?

Sepse jua shpjegova më lart. Këta janë përfaqësues që kanë konkurruar me emrin, me siglën dhe programin e LSI-së. Për sa kohë këta të jenë brenda kësaj force politike, do të jenë të detyruar të marrin pjesë në vendimmarrjen politike të kësaj force politike. Dhe kur merret vendimi atëherë ai është i detyrueshëm për të gjithë. Të kesh axhendë politike të pavarur nga një forcë politike dhe të pretendosh se je akoma përfaqësues i saj ky është një absurditet edhe politik edhe ligjor.

Por mandati është dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas asaj që parashikon Kodi Zgjedhor…

Ky është problemi. Nuk do mend qe kur në një shtet, të gjithë institucionet ngrihen mbi një proces zgjedhor i cili ka qenë i manipuluar, një proces zgjedhor i cili ka përdorur paranë për të blerë votën dhe pushtetin, nuk mund të presësh që institucionet që dalin prej tij të jenë legjitime dhe të moralshme. Kështu që mendoj se këtu nuk duhet të zgjatemi shumë dhe të bëjmë shumë komente për këtë çështje. Këta përfaqësues, është bërë e qartë edhe në letrën që Kryetarja e LSI-së ka dërguar në KQZ, nuk përfaqësojnë më LSI-në që nga vendimi që është marrë nga Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së.

Sot në Tiranë ka nisur vizitën Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ndër të tjera ka përcjell edhe një mesazh për opozitën shqiptare, duke dhënë edhe shembullin e tij kur tha se kurrë nuk dola kundër integrimit të vendit. Ju si e lexoni këtë mesazh të tij?

E para njëherë ai duhet të merret me punët e tij të brendshme dhe jo me ato të opozitës në Shqipëri. E dyta mendoj se opozita në Shqipëri është shumë e përgjegjshme dhe veprimin e saj për të djegur mandatet e ka marrë duke pasur parasysh edhe procesin e integrimit, sepse nuk shkohet në Europë me përfaqësues të kriminalizuar në Parlament, me një ekstremizim të jashtëzakonshëm të jetës parlamentare. Me rezonanca që kjo paligjshmëri e Parlamentit reflekton në institucionet e tjera të shtetit, të cilat janë po kaq të rëndësishme. Dhe pa krijuar një mentalitet dhe një kulturë të re politike që sovrani është sovran. Sovranit nuk mund t’i blihet vullneti nëpërmjet parasë, forcës apo kriminelëve. E dyta nuk mund të shkojë në Europë një shtet në qoftë se ka një konflikt të tillë politik midis mazhorancës dhe opozitës. Në qoftë se ka një mungesë të tillë besimi midis faktorëve politik, në rast se ka një papërgjegjshmëri për sa i takon domosdoshmërisë morale të pastërtisë së institucioneve, pastërtisë ligjore, pastërtisë së përfaqësimit dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, nuk mund të shkohet patjetër në Europë, duke mos realizuar siç duhet reforma të thella që ka vendi, të cilat fatkeqësisht nuk janë realizuar as si prioritete kyçe të përcaktuara nga Bashkimi Europian.

SHKARKO APP