Deputetët më punëtorë të Kuvendit. Në krye të listës është Braçe, Zhupa dhe Tabaku nga PD-ja
Debati në sallën e Parlamentit vijon të jetë në shërbim të interesave politike dhe jo të qytetarëve. Këtë evidenton raporti i Institutit për Studimet Politike mbi efikasitetin e deputetëve në sesionin e shkuar. Instituti për Studimet Politike vlerëson se pasi opozita la pas kaosin, pati progres relativ në kuptimin e funksionimit të parlamentit.
Këshilli i Ministrave vijoi të ishte burimi kryesor i nismave ligjore. Ndonëse duket se ka rritje të numrit të nismave ligjore nga deputetët (mbi 23-25%) një pjesë e tyre janë nisma de facto të qeverisë, të paraqitura indirekt si nisma të deputetëve të mazhorancës dhe pjesa më e madhe janë nisma për çështje politike ditore, pa ndikim pozitiv në nevojat për reforma dhe mirëqeverisje.
Raporti i Institutit për Studimet Politike rendit edhe deputeët më ‘efikasë’ gjatë periudhës janar-gusht 2024, referuar punës së tyre për nismat ligjore, për propozimet individuale ligjore, për pjesëmarrjen aktive në debatet në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare, për interpelancat dhe pyetjet adresuar institucioneve, për angazhimin në publik dhe zonë elektorale, për pjesëmarrje në votimin parlamentar.
Sipas raportit, deputetët më efektivë vijuan të jenë pothuajse të njëjtët si në sesionet e mëparshme parlamentare: Erion Braçe (PS), Jorida Tabaku (PD), Ina Zhupa (PD), Bujar Leskaj (PD), Petrit Vasili (PL), Klotilda Bushka (PS), Tritan Shehu (PD), etj. Deputetët e PSD vijojnë me rekorde negative (nën 13%) në fund të renditjes, kurse partitë e tjera kanë kuota nën 30%. Numri maksimal i pikëve me të cilat vlerësohen deputetët nga Instituti për Studimet Politike është 100 pikë. Në krye të listës qëndron Braçe, Zhupa dhe Tabaku me nga 77 pikë.