Deputetët shpenzuan 400 mijë euro për udhëtime, Kuvendi kërkon para shtesë
Deputetët shqiptarë kanë shpenzuar 400 mijë euro deri në gusht veç për udhëtime jashtë vendit. Pjesa më e madhe e parave rezulton të ketë shkuar për biletat e udhëtimit, ndjekur nga pagesa për akomodim në hotel dhe shpërblimet. Shpenzimet e ligjvënësve kanë tejkaluar parashikimet fillestare duke harxhuar në tetë muaj 70% të buxhetit total për vitin 2024. Në total, nga janari në gusht, Kuvendi ka shpenzuar gati 1.1 miliardë lekë nga rreth 2 miliardë lekë që është buxheti në dispozicion të këtij institucioni për këtë vit.
”Me këtë ecuri, do të duhen dhe 5-6 milion shtesë buxheti. Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shteti, për udhëtimin gjithsej të 339 persona, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ”.
Shpenzimet janë zgjeruar ndjeshëm edhe në drejtim të pagave. Pas dakordësisë së arritur mes qeverisë dhe opozitës fund-majin e vitit të shkuar, shpenzimet për rrogat dhe sigurimet shoqërore të tyre janë mbi dyfishuar. Nga 227.4 milionë lekë në janar-gushtin e një vitit më parë, për po për njëjtën periudhë kohore këtë vit janë shpenzuar 736.4 milionë lekë për pagat e deputetëve.
Madje po të mos ishte për Berishën pa të drejtë page për shumë muaj dhe disa deputetëve të tjerë me funksione në qeveri, kjo shumë do të ishte më e lartë. ”Argumentet mbi realizimin faktik më të ulët se plani të fondit të pagave, lidhen me mosplotësimin e numrit të punonjësve (përfshirë deputetët). Nga 140 deputetë për të cilët planifikohet fond page, 9 deputetë nuk paguhen në Kuvend, për shkak të funksioneve në qeveri; stafi politik në proces plotësimi dhe stafi administrativ gjithashtu, në proces rekrutimi”.