Deputeti Hoxhaj tregon për takimin me Vance: Kandidati i Trump për nënpresident e njeh shumë mirë Ballkanin
Senatori James David Vance nga Ohio është zgjedhur zyrtarisht nga Donald Trump, si kandidati i tij për zv/president nëse ai fiton zgjedhjet. Kjo zgjedhje përfaqëson një farë surprize, pasi Vance ka shkuar aq larg sa në të shkuarën e ka cilësuar Trump si “Hitleri i Amerikës”.
“J.D Vance i njeh shumë mirë sfidat me të cilat përballet Ballkani dhe Europa”, shkruan deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, duke rrëfyer dhe një bisedë të zhvilluar me 39-vjeçarin në Konferencën e Sigurisë në Mynih, i cili tashmë është shpallur si bashkëkandidati i Donald Trump për presidencialet amerikane.
“I ngazëllyer kur pashë Presidentin Trump të zgjedhë J.D Vance si kandidat për zëvendës president! Pasi e kam takuar së fundmi në Mynih, mund të garantoj për mirëkuptimin e tij të thellë të sfidave ballkanike dhe europiane. Pikëpamjet dhe udhëheqja e tij janë pikërisht ajo që na nevojitet në këto kohë të trazuara”, shkruan Hoxhaj në profilin e tij në platformën X.