Deputeti i PD: Mielli në Kuvend, në simbol të kokainës. Veprimi i Bushatit shkaktoi revoltën
Mielli i hedhur sot nga deputetët e opozitës në sallën e seancave plenare, është si simbol për trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt Shqipërisë. Këtë e ka shprehur deputeti i Partisë Demokratike, Mylsym Murrizi, në rubrikën “Opinion” në “News24”. Ai tha se opozita kishte planifikuar aksionin opozitar me vezë dhe miell, por shkak për situatën e krijuar në Kuvend seancën e sotme, sipas tij, ka qenë veprimi i ministrit Bushati, i cili hodhi ujë ndaj deputetëve të opozitës.
“Reagimi i opozitës është pas veprimit të ministrit të Jashtëm Bushati, i cili hodhi ujë ndaj deputetëve. Mielli është simbol i kësaj qeverie, pasi nën drejtimin e Ramës vendi prej vitit 2014 e në vazhdim është bërë në sytë e ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve një plantacion hashashi, dhe një destinacion kokainë nga Kolumbia. Nuk ishin 613 kilogramë miell, aq sa drogë erdhi nga Kolumbia, por ishte një sasi e vogël mielli, që në mënyrë simbolikë u hodh në Kuvend. Kujtojmë se Tahiri është i liri ndërsa kuksianët janë në burg, sepse protestuan për të drejtën e tyre. Ndërsa veza ishte simbolike për t’u treguar qeveritarëve se nuk ishin si ai mielli që ata nxituan ta provonin.
Pjesa e dytë e shisheve të ujit, letrave, dhe revoltës jashtë asaj që opozita kishte planifikuar, ishte pas veprimit të ministrit Bushati”, u shpreh deputeti Murrizi.
Ai tha se Partia Demokratike mbështet hapjen e negociatave, por theksoi se duhet të kapen trafikantët e drogës, dhe të mos ndëshkohen qytetarët e pafajshëm.
“PD nuk është kundër çeljes së negociatave. Por kjo qeveri, stomakun e ka na Stamboll, shpirtin në Moskë, dhe puthjet e përqafimet në Beograd. Nuk besoj se një miell i hedhur simbolikisht do të pengojë negociatat, se nuk është kokainë si ajo që vjen nga Kolumbia. Mos harrojmë se shefat e policisë të implikuar në trafikun e drogës nuk janë arrestuar ende, ndërsa kuksianët janë në burg. Sot kemi një prokurori që merr urdhra në telefon, dhe nuk arreston ata që janë kontingjent krimit, por qytetarët e thjeshtë”, tha ai.
Deputeti demokrat tha se reagimi opozitar do të vijojë edhe në seancat e ardhshme parlamentare, derisa zëri i qytetarëve të dëgjohet.
KOHA JONË SONDAZH

