Deputeti i PD: Një polici rrugor i kërkohet të vendosë 500 gjoba në muaj për të mbajtur punën
Deputeti i PD-së së Rithemelimit, Asllan Dogjani thotë se një polici rrugor sot i kërkohet të vendosë 500 gjoba në muaj për të qëndruar në punë. Për të kjo po i detyron policët “të vendosin gjoba vend e pavend”, ndërsa shtoi se efektivët po ashtu po mbahen jashtë orarit të punës pa u paguar shtesë.
“500 gjoba në muaj i duhen një polici rrugor për të qëndruar në punë, kjo po detyron policët të vendosin gjoba vend e pavend. Një qytetar më thotë që unë nuk kam qenë këtë vit në Gjirokastër por e kisha marr një gjobë edhe atje. Plus kësaj policët po i mbajnë jashtë orarit të punës dhe nuk paguhen për orët shtesë.
Policia rrugore mund të vendosë norma dhe të ndëshkojë shkelësit sipas rregullave të vendosura për sigurinë rrugore. Por nuk mund të vendosë gjoba me normë dhe në mënyrë të padrejtë duke jua vështirësuar jetën qytetarëve shqiptar, pa le më kur dalin edhe policët e Bashkisë me gjoba 30 mij lekshe. Ju keni hipur në kurriz qytetarëve por shpejt do vij dita tju hipin Ju”.