Deputeti i PD për publikimin e emrave të punonjësve të SHISH: Rrezikohet konflikt i madh social
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave të SHISH, ku u bënë publike emrat e punonjësve të këtij institucioni.
Reagimi i plotë i deputetit Dashnor Sula
Korrupsioni i qeverisë gjunjëzoi Shqipërinë përballë hakerave dashakeq. Publikimi i emrave të SHISH tejkaloi çdo vijë të kuqe.
📍Kryeministri në mënyrë të përsëritur ka propaganduar se hakerat dashakeqës iranianë nuk kanë mundur të depërtojnë në informacionet sekrete të shtetit. Pas këtyre deklaratave, hakerat publikuan në rrjete sociale informacione nga sistemi TIMS dhe MMX. Informacione konfidenciale policore.
📍Por, me të njëjtën arrogancë dhe papërgjegjshmëri me të cilën sillet me shqiptarët, kryeministri tenton të trajtojë dështimin e rëndë të AKSHI-t. Pak ditë pasi Rama dhe ministrat e tij gënjyen në mënyrë të përsëritur se asnjë e dhënë sensitive nuk ka rrjedhur në duart e sulmuesve, hataja ndodhi.
🔴Hakerat iranianë kanë publikuar në rrjete sociale listën e plotë të agjentëve, drejtuesve e me radhë të Shërbimit Informativ të Shtetit. Lista përmban që nga raportuesit e thjeshtë deri te personat qe përdorin identitet të dyfishtë e që infiltrohen në situata që rrezikojnë jetën e tyre.
📍Publikimi i këtyre emrave mund te krijojë një konflikt të madh social. Personat që janë në këtë listë, e para do të shihen si njerëz me sëmundjen e lebrozës, ndërsa shkërmoqet e gjithë struktura e SHISH. Në këtë organ shtetëror ka persona të cilët rrezikojnë jetën pasi në kuadër të punës janë infiltruar në grupe kriminale dhe me daljen e listës së plotë jeta e tyre është në rrezik.