Deputeti i PS: Djali im e la Xhisielën për një tjetër, nuk isha në komisariat
Deputeti i PS, Rrahman Rraja në një intervistë ekskluzive për Report TV ka sqaruar të vërtetën e tij pas denoncimit të n/komisariat Emiljano Nuhu dhe akuzave nga PD për dosjen e djalit të tij.
Ditën që Nuhu e akuzon deputetin se ka qenë në komisariat dhe e ka kërcënuar se bashku me vëllanë, Taulant Ballën dhe kryebashkiakun e Krujës, ai e mohon duke thënë se nuk ka qenë, ndërsa shton se gjithë historia plasi, pasi djali i tij e la vajzën, Xhisielën për një tjetër.
Gazetari pranë PD-së, Basir Çollaku publikoi dje dëshminë e policit në komisariatin e Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu i cili deklaroi se ishte kërcënuar me pistoletë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja. Ai akuzoi vëllain e deputetit se i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan.
N/komisari Emiljano Nuhu deklaroi se u kërcënua prandaj u arratis nga Shqipëria në datë 13.09.2018.
Edhe Taulant Balla deklaroi dje se nuk ka qenë kurrë në komisariatin e Fushë-Krujës aq më pak të ketë kërcënuar policin. Ai tha se ndaj policit që ka dëshmuar për Bashën duke shpikur, por edhe ndaj të tjerëve do depozitojë kallëzim penal, për shpifje të rënda. Balla sqaroi se në datën që polici pretendon që Balla ta ketë kërcënuar në komisariat, ai ka qenë në aktivitete të tjera të PS.
Ndërkohë që në një intervistë ekskluzive mbrëmë në Report Tv, vajza Xhisiela Maloku mohoi të gjitha pretendimet e ish-oficerit të policisë. Ajo tha se ka tërhequr kallëzimin në polici sepse ndihej e ngarkuar emocionalisht dhe se e kishte zgjidhur mosmarrëveshjen me Rexhep Rrahjen.
INTERVISTA E PLOTË E DEPUTETIT PËR REPORT TV
A keni qenë ju në Komisariatin e Krujës apo Fushë Krujës në datën 21 korrik sikur pretendon ish nënkomisari Emiljano Nuhu?
-Me përgjegjësi të plotë ju them se atë ditë nuk kam qenë as në komisariatin e Krujës dhe as të Fushë Krujës. Unë kam qenë në komisariat ditë të tjera për cështje të ndryshme që ju takojnë qytetarëve, por për tim bir asnjëherë.
Po vëllai juaj, Xhelali, keni dijeni të ketë qenë atë ditë në komisariat?
-Nuk e di për vëllain, ai jeton në Durrës. Them që jo.
Djali juaj, Rexhepi a është nën hetim për këtë cështje? Pra për akuzat e Xhinsielës?
-Mua nuk më ka thirrur njeri e nuk di detaje. Djali është thirrur në polici. Kur ka ardhur kallëzimi e kam marrë unë në telefon dhe i kam thënë eja se të kërkon policia. Ai ishte në Sarandë me të dashurën.
Jo me Xhisielën?
-Jo me Xhinsielën. Me një tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse plasi gjithë kjo, sepse djali im e la për një tjetër.
Ju vetë e njihni Xhisielën?
-Po ta shoh si fytyrë rrezik nuk e njoh. E ndoqa mbrëmë intervistën në TV tuaj dhe ajo u tregua e sinqertë. Nuk e kam takuar por një herë më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që donte të bisedonte dicka në lidhje me tim bir. I thashë që nuk ke cfarë bisedon me mua sepse nuk më pyetët mua kur e nisët këtë histori, nuk keni pse më pyesni tani që e mbyllët. Kaq ishte.
Pse mendoni që kjo histori mori këto përmasa?
-Ajo është keqpërdorur politikisht. Është sulm politik ndaj meje në radhë të parë, sepse nga viti 2000-2018 kam dalë përherë fitues pavarësisht logos së partisë. Kam pasur dhe kam mbështetje në popull. Mos harroni që kësaj here Krujën e fiton PS si asnjëherë më parë.
KOHA JONË SONDAZH

