Deputeti i Vlorës në Kukës: Aleanca krim-qeveri
Deputeti demokrat i Vlorës, Agron Shehaj, ashtu siç lajmëroi dje, ka qenë sot i pranishëm në Kukës. Teksa ka publikuar disa foto në facebook ku demonstron zbarkimin e policisë në Kukës, Shehaj thotë se ka parë me sy veprimin e shtetit të kapur nga korrupsioni dhe krimi. ”Dita e sotme tregon se aleanca krim-qeveri-oligarki-media është rrezik për Shqipërinë dhe të ardhmen tonë. Ka vetëm një shpëtim prej saj: shkatërrimi i saj”, shkruan ndër të tjera Shehaj.
Reagimi i plotë
I gjithë aparati policor dhe shtetëror ishte rreshtuar sot kundër qytetarëve dhe në mbrojtje të vjedhjes përmes koncesionit korruptiv të Rrugës së Kombit. Gjithë natën mbrëmë dhe gjithë ditën sot forcat e policisë kanë bërë demonstrim force dhe terror psikologjik ndaj qytetarëve për t’i ndaluar ata të protestojnë. Ndërkohë, mediat kanë heshtur pothuajse të gjitha, ndërsa shumë prej tyre u angazhuan në fushata keqinformuese.
Megjithatë, qytetarët dolën në rrugë kundër vjedhjes për pasurimin e Ramës dhe oligarkëve të tij. Në emër të Partisë Demokratike, së bashku me anëtarë dhe drejtues të PD-së, isha atje dhe pashë në veprim shtetin e kapur nga korrupsioni dhe krimi.
Në fund fare, si një bandit cinik, nga ata që vrasin natën dhe qajnë ditën, Edi Rama falenderoi qytetarët për mirëkuptimin. I falenderoi që me anë të dhunës tani do të grabisë i qetë paratë e tyre së bashku me Kastratin dhe Salillarin.
Turp dhe kriminale për policinë që të mobilizohet kundër njerëzve në mbrotje të banditëve. Turp për të gjithë ata që u shitën dhe me heshtjen apo propagandën e tyre mbështetën vjedhjen.
Dita e sotme tregon se aleanca krim-qeveri-oligarki-media është rrezik për Shqipërinë dhe të ardhmen tonë. Ka vetëm një shpëtim prej saj: shkatërrimi i saj. Kjo është detyra jonë dhe e cdo shqiptari me kurajë dhe dinjitet.
KOHA JONË SONDAZH

