Deputeti Sula thirrje Nokës: Vendosja e kushteve ndihmon vetëm Ramën
Deputeti Dashnor Sula, thotë se me bashkimin e PD-së, i japin demokratëve një kandidat të përbashkët më të mirë se ata të mazhorancës.
Po ashtu ai i është përgjigjur edhe Flamur Nokës, i cili i bëri thirrje grupit të Alibeajt që të tërheqë padinë në Gjykatën e Apelit për çështjen e njohjes së statutit të demokratëve. Si një nga deputetët e grupit Alibeajt, Sula thotë se me vendosjen e kushteve fiton vetëm Rama.
”Në këtë aspekt të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet maksimale që ta çojmë përpara këtë frymë pa vendosur kushte. Në këtë frymë u caktua sot edhe z. Bardhi për të diskutuar me pjesën tjetër të kolegëve tanë. Nga ne nuk ka kushte në përpjekjen për të gjetur rrugën e duhur për të dalë përballë kundërshtarit tonë politik Edi Rama me nje kandidat të përbashkët”.
Postimi i plotë
Opozita me kandidat të përbashkët. Të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PD janë në parlament me votat e demokratëve. Ndaj në zgjedhjet lokale do të ishte gabim i rëndë të përsërisnim papjekurinë e 6 marsit. Bashkimi i PD në një qëllim të vetëm: ti japim demokratëve një kandidat të përbashkët më të mirë se ata të mazhorancës duhet të jetë obligimi i të gjithëve neve. Ditët e fundit ka patur sinjale pozitive brenda nesh që në këto zgjedhje që janë më afër qytetarëve të lemë mënjanë mosdakordësitë brenda vetës dhe tu paraqitemi demokratëve dhe shqiptarëve me një kandidat të vetëm.
Në këtë aspekt të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet maksimale që ta çojmë përpara këtë frymë pa vendosur kushte. Në këtë frymë u caktua sot edhe z. Bardhi për të diskutuar me pjesën tjetër të kolegëve tanë. Nga ne nuk ka kushte në përpjekjen për të gjetur rrugën e duhur për të dalë përballë kundërshtarit tonë politik Edi Rama me nje kandidat të përbashkët.
Kjo do duhet të ndodhë edhe me pjesën tjetër të grupit tonë. Vendosja e kushteve apo e parakushteve ndihmon vetëm partinë në pushtet. Jo vetëm demokratët por të gjithë shqiptarët nuk e meritojnë keq qeverisjen nga kjo mazhorancë. Ndaj edhe neve duhet të na shqetësojë kjo gjë e të gjithë së bashku të bëhemi alternativë.
Si një familje e cila pavarësisht mërive të momentit në kohëra të vështira bëhen bashkë, ashtu edhe ne si një familje e madhe në kushtet kur të gjithë pushtetet janë përqendruar në një dorë dhe shqiptarët po detyrohen të largohen çdo ditë, duhet të lemë mënjanë interesat e ngushta e duhet të bashkohemi për ti kthyer pushtetin lokal qytetarëve duke u bashkuar.