Deputetja Açka: Aksioni i Berishës ndau PD-në. Alibeaj është nën një presion të jashtëzakonshëm

Deputetja e PD-së, Flutura Açka, pjesë e grupit të Enkelejd Alibeaj, thotë se ky i fundit është në një presion të jashtëzakonshëm në prag të këtyre zgjedhjeve pasi është dashur të mbajë një barrë të madhe.

“Ka qenë një vit shumë i vështirë për Partinë Demokratike, për të dy krahët e saj. Unë nuk jam aspak dakord që ne të vendosim për një gjë kaq të rëndësishme si hyrja në zgjedhje në orët e fundit, por kemi qenë të detyruar për shkak të këtij viti të vështirë.

Kanë qenë 3 rryma që nuk kanë mundur të konvergojnë në një. Cila ka të drejtë? Këtë nuk mund ta gjykojmë tani. E mira e siglës së PD duhet të ishte me kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit. Kësaj pjese të PD i është dashur të mbajë një barrë të madhe. Enkelejd Alibeaj është në një presion të jashtëzakonshëm.

Vendimi përfundimtar ka qenë që të ishim me kandidatë në 61 bashki, por kishte një kusht, a janë të përgatitura të gjitha degët? Duhet të kishim dalë me herët me kandidatë. Vula u vendos në anën e pjesës së zotit Alibeaj dhe pjesa tjetër duhet të ishte më tolerante. Oferta për të dalë në zgjedhje me një kandidat ka qenë shumë e sinqertë nga grupi ynë parlamentar”, u shpreh Açka.

SHKARKO APP