Deputetja Dhimitri: Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit, doli një flluskë sapuni

Deputetja Fatjona Dhimitri në seancën e kësaj të hëne në Kuvend, ku u miratua raporti i Komisionit të Posaçëm të ngritur nga shumica socialiste për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, por që doli në përfundimin që presidenti nuk duhej shkarkuar, tha se Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit rezultoi një flluskë sapuni. Nga ana tjetër ajo tha se Komisioni i Venecias i’a përplasi në fytyrë të vërtetën Kuvendit lidhur me emërimet neopotike në Gjykatën Kushtetuese. ”Censurën mbi lirinë e shprehjes që do të sillte Paketa Antishpifje; Zgjedhjet moniste të 30 qershorit! Do të ishte në nderin tuaj siç dhe jua sugjeroi një kolegu juaj t’i kërkoni më mirë falje Presidentit sesa të gatuani ketë çorbë pa nder. Keni krijuar rreth vetes një mjedis moral të përlyer por mos u mundoni t’i ndotni dhe ata që respektojnë ligjet e Kushtetuten, jo të gjithë ju ndjekin pas”.

Fjala e plotë

Zoterinj Deputete! Dëshiroj të citoj një paragraf të fjalimit tim të pambajtur ditën që do të votohej projektrezoluta për shkarkimin e presidentit, fjalim që ma mohuan ta mbaj ne kete sallë, pasi zëri im si në Konferencën e Kryetarëve ashtu edhe në daljet e mia publike cënoi shume interesa të zotërinjve deputetë që e durojnë të padurueshmen e një qeverisje shkatërruese, që nuk arrijnë ta pranojnë se banka e pushtetit të zhytur në krim e korrupsion ka falimentuar.

Dekretet presidenciale që ju zotërinj gjykoni mund të mos ju pëlqejnë, por respektimi i Kushtetutës më bën t’ju kujtoj se Kushtetuta, është mbi dëshirat dhe synimet politike, mbi llogaritë personale apo të karrierës individuale! ”Dekretet e Presidentit mund edhe të mos i pëlqejnë qeverisë apo zotit Kryeministër. Por pyetja është: “A kemi ne një ndarje pushtetesh në Shqipëri apo Shqipëria për shkak të mendësive totalitare po shkon drejt asaj që ndarjen e pushteteve ta quajë tradhëti dhe krim? Ndarja e pushteteve nuk manifestohet as në përqafimet, as në drekat e darkat sekrete dhe as në unitetin midis Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, si dikur kur kërkohej unitet i çelniktë midis Mehmetit Shehut dhe Haxhi Lleshit!

Kjo do të ishte monizëm dhe totalitarizëm! Ndarja e pushteteve në një shtet ligjor manifestohet pikërisht kur mbartësit e pushteteve të ndryshëm janë edhe në kontradiktë me njeri tjetrin dhe kur kjo kontradiktë rregullohet e zgjidhet sipas Kushtetutës. Presidenti i Republikës në Dekretet e tij presidenciale ka vepruar në respektim dhe mbrojtje te Kushtetutës! Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit rezultoi një flluskë sapuni ashtu siç është gjithë propaganda e Edi Ramës për të minuar pushtetet në këto 7 vite qeverisje!

Komisioni i Venecias ja përplasi në fytyrë të vërtetën Kuvendit lidhur me emërimet nepotike ne Gjykatën Kushtetuese; Censurën mbi lirinë e shprehjes që do të sillte Paketa Antishpifje; Zgjedhjet moniste të 30 qershorit! Do të ishte në nderin tuaj siç dhe jua sugjeroi një kolegu juaj t’i kërkoni më mirë falje Presidentit sesa të gatuani ketë çorbë pa nder. Keni krijuar rreth vetes një mjedis moral të përlyer por mos u mundoni t’i ndotni dhe ata që respektojnë ligjet e Kushtetuten, jo të gjithë ju ndjekin pas.

SHKARKO APP