Deputetja diagnostikohet me kancer gjiri: Detektimi i hershëm shpëton jetë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Mimoza Kusari Lila tregon se para tri javësh është diagnostikuar me kancer në gji. Në Facebook ka postuar një foto teksa ka dalë nga spitali, ku shkruan se i është nënshtruar një operacioni në Spitalin e Prishtinës, pasi kuptoi gjatë një kontrolli rutinë, se ishte diagnostikuar me kancer të gjirit.

Postimi i plotë

Detektimi i hershëm shpëton jetë! Të dashura mike dhe miq, dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës-Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit. Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit, dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim.

Për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ekzaminimin e gjirit gjatë muajit tetor të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, JU LUTEM ta bëni sa më parë. Kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia.

Detektimi i hershëm shpëton jetë, ndërsa vonesat për zbulimin dhe identifikimin e hershëm mund të sjellin pasoja shumë më të rënda. Fatmirësisht, unë e zbulova në një fazë të hershme dhe trajtimi është shumë më i lehtë sesa në fazat e avancuara.

Një falënderim i veçantë për radiologen Dr. Shkëndije Nuza, kirurgun torakal Dr. Avni Behluli, drejtorin e Klinikës Torakale Dr. Nazmi Kolgeci, anesteziologen Dr. Medita Hashimi, motrës/infermiere Sadbere si dhe infermierët dhe të gjithë stafin mbështetës të Klinikës Torakale në Prishtinë. Angazhimi dhe përkushtimi i tyre ishte profesional dhe shumë njerëzor. Ju faleminderit të gjithëve për mesazhet e juaja inkurajuese dhe mbështetjen tuaj. Shëndet e dashuri për të gjithë ju.

SHKARKO APP