Deputetja e Bashës kalon tek Berisha: Jam dhe mbetem pjesë e PD-së. Koha për një opozitë të formuar
Me kalimin e vulës së PD-së tek Sali Berisha, edhe deputetët e pakët që deri dje ishin tek grupi i Lulzim Bashës, duan që të kalojnë tek lideri historik i PD-së, pra ka nisur eksodi i deputetëve. Deputetja e Fierit, Eralda Bano e cila më sot ka qenë pjesë e grupit që drejtohej nga Basha, thotë se ajo është dhe do të mbetet deputete e PD-së, pra që kalon tek grupi i Berishës.
Për të është koha për një opozitë të formuar dhe të papërçarë. ”Jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve. Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë”,-shkruan Bano.
Lulzim Basha ende nuk është shprehur qartë se cili do të jetë fati politik i grupimit të tij. Kurse Sali Berisha prej 48 orësh përsërit thirrjen drejtuar ligjvënësve të dalë nga listat e 2021 për t’u kthyer në shtëpinë e tyre dhe mesazhi duket se ka mbërritur tek Bano.
Deputetja e PD-së për qarkun e Elbasanit, Flutura Açka e cila deri më tani është në grupin e Lulzim Bashës, thotë se partia e saj është SPAK. Ftesën e Berishës për bashkim, Açka nuk e ka pranuar.
”Edi Rama zgjodhi kundërshtarin e vet politik, edhe pse në demokraci nuk e zgjedh dot. Thjesht e ke. Unë zgjodha aleatin tim: SPAK-un. Sa mijëra e mijëra mendojnë si unë? Ajo është, pra, PARTIA IME”,-shkruan Açka.
Postimi i plotë nga Eralda Bano
Të dashur qytetarë, lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike. Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes.
Demokratë të nderuar, dëshiroj të shpreh përulësisht një mirënjohje të thellë për këdo që më ka mbështetur në këto vite! Jam mirënjohëse ndaj miqve, kolegëve, simpatizantëve të mi dhe kujtdo që ka marrë guximin të më kritikojë. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim.
Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve. Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.