Deputetja e Bashës shfaqet në takimin e Berishës: Ju kërkoj rrugëzgjidhje

Në takimin e Sali Berishës me demokratët në Korçë, e pranishme ishte edhe Sorina Koti, deputetja e PD-së në këtë qark. Deputetja i ka kërkuar Berishës që të gjejë një rrugëzgjidhje për situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike për debatin mes tij dhe Lulzim Bashës. Ish-kryeministri është përgjigjur duke thënë se zgjidhja është votimi në Kuvendin Kombëtar të PD-së.

”Jam këtu si deputete e Korçës, si anëtare e PD. Bashkë me gjithë këta burra dhe zonja që ndodhen këtu në sallë, ne kemi qenë 8 vite në protestë bashkë, jemi përballur me regjimin e Ramës me gjithë makinerinë e pushtetit të tij, me gazin lotësjellës, me dhunën, me korrupsionin, me terrorin dhe me çdo presion që kjo qeveri i ka bërë çdo demokrati. Ne kemi qenë të gjithë bashkë, e ku ndodhemi sot.

Jemi në opozitë, në pikën tonë më kritike, më delikate. Jemi në një debat të brendshëm. Nuk do doja që sot demokratët e Korçës, demokratët e gjithë Shqipërisë, të ndodheshin në këtë situatë. Është vërtetë pikë shumë e vështirë.

Po ju kërkoj ju, si themelues i PD, si një nga njerëzit të cilët e keni udhëhequr këtë forcë në vitet e suksesit të pushtetit të vetë. Ju kërkoj të gjejmë një rrugëzgjidhje, një rrugëdalje, një forcë pozitive për të ringritur Partinë Demokratike në pushtetin e saj.

Të gjithë ne këtu sot besojnë në atë logo, në Partinë Demokratike. Besojmë në vlerat demokratike, besojmë në vlerat tradicionale dhe në vlerat konservative. Forca jonë është bashkimi. Partia Demokratike është më e rëndësishme se çdo gjë”.

SHKARKO APP