Deputetja e LSI-së: Protestat ndihmojnë në procesin e hapjes së negociatave me BE-në

Deputetja e LSI-së, njëherësh dhe kryetare e të rinjve të kësaj force politike, Floida Kërpaçi deklaron se shkaktar i situatës së rëndë në të cilën ndodhet vendi është kryeministri Edi Rama.

Duke iu referuar aktualitetit politik në vend që pas protestës së 26 majit të opozitës dhe dy protestave të LRI-së dhe FRPD-së, Kërpaçi premton se protestat do të vijojnë.

Në intervistën e saj dhënë për “Channel One”, Kërpaçi shpreh bindjen e saj se protestat e ndihmojnë procesin e hapjes së negociatave

Swiss Digital Desktop Reklama

Intervista

Swiss Digital Mobile Reklama

Keni ditë që keni nisur një protestë, të rinjtë opozitar FRPD dhe LRI për të kërkuar largimin e ministrit Xhafaj. Do të vazhdojë kjo protestë?

Në fakt nuk është se protestat kanë lindur sot. Këtu kemi një përgjegjës për papunësinë, për uljen e ekonomisë, arsimin e shkatërruar dhe të gjitha problemet e shoqërisë shqiptare. Për inkriminimin e vendit tonë dhe pa diskutim që ai është kryeministri i vendit dhe mban përgjegjësinë kryesore dhe pastaj çdo pjesë e qeverisë së tij është vegël dhe është nën komandat e tij. Kështu që protestat kanë nisur që në shtator, kanë vazhduar në dhjetor, protesta e janarit, 26 maji, për të vazhduar dhe me protesta të tjera.

Duket se jeni pak të përmbajtur sa të vijë dhe përgjigja nga Brukseli për hapjen ose jo të negociatave. Është e vërtetë?

Unë nuk do të thosha këtë sepse protesta është një formë demokratike dhe e forcon më shumë demokracinë e vendit. Madje do thosha që në protestat e ndihmojnë procesin e hapjes së negociatave. Fakti që qytetarët protestojnë për të drejtat e tyre, ngrihen për të shprehur shqetësimet dhe tashmë janë shumë të shqetësuar me këtë keqqeverisje tregon që ka një përgjegjësi të qytetare nga ana e atyre për të kërkuar llogari dhe për të kërkuar të ardhmen dhe vazhdimësinë e qeverisjes dhe politikês në vend. Kështu që do ta quaja një hap pozitiv drejt forcimit të demokracisë por edhe një hap pozitiv që ndikon në hapjen e negociatave.

Ju e keni të sigurt që ministri do largohet sepse fjalët e opozitës janë herë pas here, ai duhet dhe do të largohet?

Padiskutim që diskutimi ynë nuk mund të jetë kurrsesi i ndarë dhe unë ndaj dhe qëndrimin tim që këto dy çështje nuk mund të ndahen. Ka një përgjegjës kryesor që është në dijeni dhe i ka të gjitha informacionet dhe është përgjegjës dhe i kësaj gjende kaotike, kësaj situate të rrënuar të Shqipërisë dhe ai është kryeministri i vendit. Dhe nëse ka një njëri që duhet të largohet sa më parë nga Shqipëria sepse nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka rrënuar dhe po i detyron shqiptarët të largohen çdo ditë e më shumë nga Shqipëria drejt një të ardhme më të sigurt ku asnjë nuk e di se ku po shkon, ai është kryeministri i vendit së bashku me qeverinë e tij të inkriminuar dhe pa diskutim që protestat kanë nisur dhe do të vazhdojnë si pjesë edhe e një reagimi të jashtëzakonshëm të qytetarëve të cilët janë të revoltuar dhe i kërkojnë këto protesta qoftë të organizuara nga partitë politike, qoftë edhe vetë të organizuara ashtu siç edhe e keni parë duke shprehur zemërimin e tyre ndaj kësaj qeverie dhe ndaj këtij kryeministri i cili ështëpërgjegjësi kryesor i kësaj situate kaotike ku ndodhet Shqipëria. Pastaj çdo lëvizje tjetër, çdo problem tjetër, çdo situatë që krijohet në Shqipëri padiskutim që është nën drejtimin, nën tutelën, nënadministrimin, nën direktivat e drejtpërdrejta të kryeministrit të vendit. Asgjë dhe asnjë nuk vepron pa vendimin dhe aprovimin e kryeministrit dhe të drejtuesve të tij. Dhe dihet që ky inkriminim i vendit, ky largim i bizneseve nga vendi, ky largim i investitorëve të huaj, kjo heqje e ndihmës ekonomike, largimi i të rinjve, papunësia, çdo gjë ka një përgjegjës dhe ai është kryeministri. Sepse ai nuk ka në fokus të ardhmen, ekonominë dhe një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë por ka krijuar një destabilitet dhe një largim masiv të të rinjve dhe të shqiptarëve.

Dje kryetarja juaj në seancë plenare, Monika Kryemadhi i bëri ftesë edhe vetë socialistëve të braktisin Ramën dhe të largohen prej tij sepse Partia Socialiste brenda këtij viti tha ajo do të bie.

Po patjetër sepse qytetarët edhe socialistët janë njerëz të nderuar.

Janë mandatuar për të qeverisur 4 vjet…

Po patjetër se ndërmjet tyre ka edhe që nuk ë pranojnë këtë gjë. Nuk e pranojnë të drejtohen nga njerëz që janë të inkriminuar apo nga njerëz që po e çojnë vendin në drejtim të paditur. Nuk kemi dëgjuar por do të dëgjojmë. Sepse vjen një moment që nuk mund të pranosh më të baltosesh dhe të bëhesh pjesë e të së njëjtës vorbull e cila nuk e çon gjëkundi Shqipërinë. Unë nuk mendoj që ka ndonjë nga ata deputetë edhe të Partisë Socialiste që i pëlqen që vendi ka shkruar në drejtim të paditur apo investitorët e huaj çdo ditë e më shumë po i largohen, nuk po hapen vende të reja pune, shqiptarët nuk kanë besim tek kjo qeveri dhe largohen. Pra, nuk besoj se ka ndonjë prej tyre që e pranon këtë gjë. Besoj që duhet të ketë një reagim siç tha dhe kryetarja, i menjëhershëm dhe i shpejtë nga ana e tyre.

Ç`mund të thoni lidhur me lajmin që u publikua për një survejim të mundshëm të Bashës dhe familjes së tij, ku menjëherë reagoi policia e shtetit duke e përgënjeshtruar këtë lajm?

Nuk e di nëse ky është një lajm zyrtar apo jo, pra si do të vijojë situata për ta vërtetuar këtë gjë sepse normalisht kërkohet një vërtetim, por ajo që mund të them është që kjo nuk është një gjë e re që po ndodh sot. Ka ndodhur më përpara, ku vetëm një fakt mund të jap. Telefonat tanë nuk mbarojnë së buçituri sot dhe përpara, kështu që survejimi është një gjë që ka ndodhur dhe do të ndodhë. T’ia lëmë në dorë atyre të shohim se si do vazhdojë, por një gjë është e sigurt që telefonat tanë janë non stop duke buçitur.

Çfarë mund të bëjë opozita që mund tu shërbejë atyre që përgjojnë?

Është vetë sistemi i tillë dhe kemi një kryeministër, i cili do të ketë në kontroll çdo gjë, do të survejojë dhe të jetë në dijeni të çdo gjëje duke shkuar aq larg deri sa të cenojë privatësinë dhe jetën tënde të përditshme private.

Në këtë situatë që ndodhet vendi jo pak herë është artikuluar dhe nga kreu i Grupit tuaj Parlamentar, z. Petrit Vasili, para dy apo tre ditësh, që jeni gati dhe nëse ka zgjedhje të parakohshme, qoftë edhe nesër.

Po patjetër. Edhe unë mbaj të njëjtën qëndrim.

Është gati LSI?

Mendoj që jemi gati pasi e kam parë dhe e shikoj LSI-në si të vetmen forcë politikë, e cila është jashtëzakonisht shumë aktive me qytetarët, njerëzit e thjeshtë, kontakt të vazhdueshëm me bazën dhe elektoratin, por jo vetëm. Gjithashtu duke dëgjuar çdo ditë shqetësimet e problemet, duke ngritur kauzat që ata na i besojnë për t`i përfaqësuar dhe besoj që në një situatë të tillë, duke qenë nëpër rrethe dhe duke takuar qytetarë, vërehet një zemërim nga qytetarët. Shikohet një angazhim dhe pjesëmarrje edhe më e madhe qytetare që duan t`i bashkohen LSI-së dhe besoj që në një situatë të tillë, ne jemi gati që nesër ashtu siç dhe z. Vasili e ka thënë, pra për zgjedhje të parakohshme sepse kjo është e mira për qytetarët shqiptarë.

Po, por situata që ndodhet vendi me këto akuza që i bëni qeverisë duke thënë e inkriminuar me drogën dhe bandat kriminale, është e vështirë të fitosh..

Qytetarët shqiptarë janë më shumë të zemëruar, sepse ata në fund të muajit nuk kanë mundësi të paguajnë asnjë gjë, pra dritat apo të mbijetojnë. Madje, edhe ndihmën ekonomike që merrnin, tanimë shteti ua ka hequr dhe të gjendur në një situatë të tillë ku shteti po i shkatërron përditshmërinë e tyre dhe nuk i jep frymë të mbijetojnë, pa diskutim që zemërimi është i jashtëzakonshëm saqë nuk mund të ketë asnjë shqiptar që mund të votojë këtë qeveri. Pse e them këtë gjë? Familjeve shqiptarë, të rinjtë po i largohen nga shqipërua. Largohen rrugëve të botës, ku asnjë nuk i di se ku janë. Edhe ato biznese që kishin po i mbyllen sepse taksa po i merr frymën në atë lloj niveli saqë nuk i del më asgjë, jo për të mbajtur biznesin, por për të mbijetuar. Pra, ka arritur në nivele ekstreme. Unë përditë në lagjen time shikoj biznese që kanë kaq vite që vazhdonin, por sot kanë mbyllur qepenat dhe ose do e shesin atë ose do e mbyllin, pra mund të jenë në likuidim mallrash dhe më pas direkt për ta mbyllur. Po të shikosh pastaj pjesën e arsimit dhe të shëndetësisë, vetëm shëndetësi që nuk kemi falas. Të shkosh në dyert e spitaleve, të duhet vetë të blesh ilaçet dhe më pas të shkosh atje. Ishte një rast para një jave, ku në urgjencë nuk ka hapësirë, por të duhet të shtrihesh në sallat e korridoreve për të marrë shërbimin shëndetësor. E gjendur në këtë situatë të tillë, nuk mendoj se ka ndonjë qytetar shqiptar që do zgjidhte një qeveri të inkriminuar, e cila paratë dhe të gjithë pushtetin e saj e ka të vendosur në funksion të një grupimi njerëzish, ku ndërkohë qytetarët e thjeshtë nuk kanë asnjë mundësi apo të ardhura. Ndihmën ekonomike ua kanë hequr, mundësi të tjera nuk ka. Dhe pa diskutim që janë jashtëzakonisht të kujdesshëm qytetarët shqiptarë që në një situatë të tillë të zgjedhin për të ardhmen e tyre, për ta bërë vendin më të sigurt, sepse sot vetëm siguri që nuk ka në Shqipëri. Ne kemi një Shqipëri sot që nuk të ofron mundësi të barabarta dhe mbi të gjitha nuk ka drejtësi. Pse e them këtë? Nuk ka një qytetar shqiptar që beson tek drejtësia. Pse? Sepse ne kemi rastin konkret të kryeministrit tonë, i cili vitin e kaluar i tha policëve që të shkojnë dhe të mbrojnë votat e Partisë Socialiste dhe vetëm se kërkoi falje në Facebook, Prokuroria e pushoi çështjen. Ndërkohë, të rinjtë shqiptarë dalin dhe protestojnë në mënyrën më të ligjshme të mundshme dhe procedohen penalisht.

Po, por nëse do të ishte kështu si thoni ju, ai sheshi i protestës së 26 majit do të ishte plot e përplot…

Unë mendoj që ka qenë një pjesëmarrje e jashtëzakonshme. Këtë e them me bindje sepse kam qenë aty dhe e kam parë nga afër. Mjafton të shihje jo vetëm pjesën e gjithë bulevardit, ku edhe temperaturat kanë qenë të jashtëzakonshme për hir të së vërtetës, por edhe në anët e bulevardit ku kishte pak më shumë hije, atje mund të shikoje njerëz pa fund. Kështu që mendoj që pjesëmarrja ka qenë e jashtëzakonshme dhe se protesta e dha mesazhin e saj drejtuar qeverisë dhe gjithë kësaj situate politike që po ndodh në vend.

Ju a u proceduat penalisht për protestën që zhvilluar përpara Ministrisë së Brendshme?

Unë personalisht nuk kam një njoftim nga ana e policisë nëse ka apo jo një procedim penal për mua, por ka një njoftim zyrtar për 9 të rinj të tjerë pjesëmarrës në atë protestë që janë proceduar penalisht nga ana e policisë, për të cilën unë nuk gjej asnjë arsye. Kjo për arsye se kërkesa në polici është dërguar, strukturat e policisë janë vënë në dijeni për këtë çështje dhe në këtë mënyrë nuk gjej asnjë arsye tjetër përveçse frikës së këtij kryeministri që ka ndaj të rinjve për dëshirën e tyre të madhe për ta larguar këtë kryeministër, i cili jo vetëm që nuk ka punuar për ta, por është duke ndikuar negativisht në të ardhmen e tyre.

A do të ketë LRI kamp veror këtë verë?

Forumi rinor i LRI-së, ndër vite dhe jo sot, që në themelimin e saj, edhe kur LSI ka qenë në opozitë, ka zhvilluar kampin veror si një akademi politike jo vetëm për të rritur profesionalisht të rinjtë, për të krijuar një vizion tyrin politik, për të ndjekur një strategji për zhvillimin e politikave ndaj të rinjve. Kështu që mendoj në këtë vazhdimësi do të jenë strukturat drejtuese të këtij forumi, Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Rinore për Integrim. Së shpejti ne do të kemi edhe një mbledhje ku do të diskutojmë edhe për kampin veror. Por, tashmë kjo është një traditë.

Po, por rrjedha mund të marrë ndryshe, përsa i përket edhe zhvillimeve politike në vend…

Prandaj ju thashë që do të ketë takime të forumeve drejtuese të këtij forumi rinor për të marrë një vendim për këtë çështje.

A do të bëjë LSI koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike? A mund të dalin ato me kandidat të përbashkët në bashki të caktuara?

Përsa i përket kësaj çështjeje, ne jemi në një front të bashkuar opozitar me Partinë Demokratike dhe me aleatët tanë të tjerë përsa i përket rrëzimit të kësaj qeverie të inkriminuar, e cila nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka sjellë ditë të zeza për Shqipërinë. Besoj se ky koalicion opozitar do të vazhdojë për të sjellë një alternativë më të mirë për vendin.

Duket sikur herë pas here nuk jeni në sinkron të plotë me Partinë Demokratike… Në kauzën ‘Xhafaj’, për shembull…

Jo, ne kemi qenë në sinkron shumë të mirë me njëri – tjetrin. Mjafton të shihni faktin se edhe përpara se të caktohej data 26 për protestën, ka pasur një deklaratë ku të gjithë aleatët kanë qenë njëzëri për realizimin e kësaj proteste. LSI iu bashkua kësaj proteste me gjithë aksionin e saj dhe me gjithë aktivistët e saj. Këtu janë gjëra që ne nuk mund t’i ndajmë. Gjithçka po ndodh e ka një përgjegjës kryesor që është kryeministri Rama.

Kauzën ‘Tahiri’ e harruat…

Kauza ‘Tahiri’ nuk mund të harrohet sepse tregon se si drejtësia nuk funksionon, tregon se si kjo qeveri është e inkriminuar, tregon se si ky kryeministër ishte në dijeni për çdo gjë dhe ishte ai që inskenonte të gjitha veprimet e ish-ministrit të tij të Brendshëm, kështu që është një kauzë së bashku me të gjitha skandalet e tjera që do të jetë në qendër të vëmendjes së aksionit opozitar për ta çliruar vendin nga kjo e keqe që e ka mbërthyer dhe për të dhënë një vizion të ri, për një ekonomi dhe një vend më të sigurt, me mundësi dhe me shanse të barabarta.

Partia Demokratike deklaron se të tjera skandale do të publikohen për ministra të tjerë të qeverisë…

Prandaj ne kemi thënë që kjo është një qeveri e inkriminuar, një qeveri që nuk përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë, sepse çdo gjymtyrë e kësaj qeverie, duke nisur nga kryeministri i vendit, janë të lidhur dhe të kapur fort me bandat dhe me trafikantët. Aksioni opozitar do të vazhdojë deri sa të dalin në dritë të gjitha të vërtetat e kësaj qeverie të inkriminuar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?