Deputetja e PD: Flisni për leksionet antishqiptare të drejtuesit të koncesionit të Butrintit

Nga Ina Zhupa, deputete e PD-së

Koha të flisni zyrtarisht dhe publikisht për leksionet antishqiptare që Richard Hodges, drejtues i koncesionit të Butrintit, mban nëpër universitete dhe shkruan në “artikuj shkencor”.

Ju kam dërguar kërkesë zyrtare 3 institucioneve, të albanologjisë, së historisë dhe të arkeologjisë pasi që gjykoj se është e drejtë dhe detyrim i instituteve shkencore shqiptare që t’u japin një përgjigje zyrtare deklaratave të atilla të Richard Hodges që kërkojnë të mohojnë, fyejnë dhe injorojnë historinë, vlerat dhe trashëgiminë e popullit shqiptar.

Kjo edhe në respekt të punës profesionale të bërë nga historianët dhe arkeologët shqiptarë ndër vite, ku mund të përmendim disa prej akademikëve më të shquar, por pa nënvlerësuar rolin dhe kontributin e kujtdo tjetër, si Eqerem Çabej, Aleks Buda, Hasan Ceka, Selim Islami, Hena Spahiu, Neritan Ceka, Apollon Bace, Etleva Nallbani etj.

Qëndrimet anti-shqiptare dhe anti-kombëtare të mbajtura nga Richard Hodges janë mjaft shqetësuese, pasi ato vënë në dyshim prejardhjen e popullit tonë, ekzistencën e shtetit shqiptar, historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Aq më tepër, këto deklarata të bëra nga një person, i ngarkuar dhe i paguar për detyrën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, të mishëruar par excellence në Parkun Kombëtar të Butrintit, përbëjnë një skandal të rëndë që meriton një përgjigje të menjëhershme nga institucionet shqiptare, veçanërisht institutet me dije dhe ekspertizë të posaçme në fushën e historisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë.

Në këtë kuadër, në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 8 dhe nenit 10 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, kërkoj nga juaj mbajtjen e një qëndrimi zyrtar me shkrim lidhur me:
(I) bazueshmërinë shkencore të deklarimeve të Z. Hodges;
(II) përshtatshmërinë profesionale të këtij personi për mbajtjen e detyrës së anëtarit të Bordit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit;
(III) rekomandimet tuaja lidhur me reagimin institucional që duhet të mbajë Ministria e Kulturës, Kuvendi i Shqipërisë etj. ndaj këtyre deklaratave.

SHKARKO APP