Deputetja e PS-së, Sara Mila tregon se çfarë fiton Elbasani nga fondet e BE-së
Elbasani renditet ndër qarqet më përfituese nga fondet e Bashkimit Europian në kuadër të Programit IPA konkretisht atij të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri – Maqedonia e Veriut 2021–2027. Duke folur mbi rëndësinë e këtij programi, deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila u shpreh se qarku i Elbasanit është një nga zonat që përfiton më shumë nga bashkëpunimi ndërkufitar.
“Për qytetarët e Qarkut të Elbasanit është një lajm shumë i mirë pikërisht Programi IPA për Bashkëpunimin Ndërkufitar Shqipëri-Maqedonia e Veriut 2021–2027, ku Elbasani është një nga qarqet më përfitues. Ka nisur puna që prej nëntorit të 2025, por pritet që të shtrihet edhe në vijim. Të paktën për qarkun e Elbasanit do të thotë turizëm i qëndrueshëm, mbrojtje e mjedisit, turizëm natyror dhe kulturor. Më së shumti preken zonat rurale dhe promovimi i tyre. Kjo do të thotë më shumë punë për bujtinat, guida lokale dhe artizanët që i kemi të shumtë dhe produktet që ata kanë janë dhe të një kategorie tejet cilësore. Kjo i promovon dhe i ndihmon ata direkt”, u shpreh deputetja.
Sipas saj, informimi i komuniteteve lokale mbi mundësitë që ofron programi është kyç, në mënyrë që përfitimet të shtrihen edhe më gjerë në të ardhmen. Përfitimet pritet të ndihen veçanërisht në zonat rurale, duke krijuar më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm.
Programi IPA synon të mbështesë ekonominë lokale, bizneset e vogla dhe familjare, turizmin natyror dhe kulturor, si edhe forcimin e shërbimeve publike vendore dhe mbrojtjen nga përmbytjet dhe zjarret. Aktualisht, dy projekte kanë nisur zbatimin në Elbasan dhe Peqin, të fokusuara në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. Ndërkohë, bashkitë e Qarkut të Elbasanit, Elbasan, Belsh, Cërrik, Gramsh, Librazhd, Peqin dhe Përrenjas, kanë mundësi të përfitojnë fonde evropiane për projekte zhvillimi, me një financim deri në 85% nga Bashkimi Europian
KOHA JONË SONDAZH

