Deputetja Gjonaj: Ndryshimet në ligjin për studentët e mjekësisë, reflektim i vendimeve të Kushtetueses

Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj prezantoi sot në Kuvend ndryshimet në projektligjin “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë”.

Në fjalën e saj Gjonaj tha se ndryshimet e parashikuara në këtë projektligj vijnë si reflektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 25 janar 2024 për ligjin “Për trajtimin e studentëve të mjekësisë”. “Gjykata kushtetuese në vendimin e saj ka përcaktuar dy momente, të cilat i ka konsideruar se duhet të rishikohen, për të cilat ne si iniciatorë të këtij projektligji i kemi reflektuar ekzaktësisht në dispozitat dhe parashikimet ligjore që kanë ardhur në këtë projektligj”, nënvizoi Gjonaj.

E para, vijoi Gjonaj, lidhet me rishikimin e afateve të nenit 4 të ligjit me qëllim garantimin e parimit të proporcionalitetit të ndërhyrjes deri në një kufi jo më të gjatë se sa 3 vjet. ”Interesi publik për të garantuar plotësimin e nevojave për burime njerëzore në kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik në institucionet shëndetësore është mjaft i lartë, prandaj dhe dispozitat që përcillen janë hartuar në proporcion me nevojat e diktuara për përmbushjen e këtij interesi të lartë publik, në zbatim të dispozitivit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese”,-tha Gjonaj.

SHKARKO APP