Deputetja Hajdari pritet nga Presidentja Osmani, tregon temat e bisedës
Deputetja Rudina Hajdari ditën e sotme ka zhvilluar një takim me Presidenten e Kosovës, njëkohësisht kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin. Përmes një postimi në facebook, Hajdari ka zbuluar çështjet për të cilën u diskutuan në këtë takim.
Dy politikanet kanë mbështetur njëra-tjetrën për punën e bërë dhe atë që kanë dhënë për politikën shqiptare. Hajdari është shprehur se ka rënë dakord me Osmanin të punojnë shumë ngushtë për çështjen e Integrimit, betejën e gjatë për ndërtimin e shtetit ligjor si dhe luftën ndaj korrupsionit.
“Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim me Presidenten e Kosovës dhe Kryetaren e Kuvendit zonjën Vjosa Osmani. Ndava me të simpatinë për kurajon e treguar në vendimet e marra prej saj, nëpërmjet të cilave nuk pranoi që parimet dhe idealet ti tregtonte për karrierën partiake. Të jesh grua në politikën shqiptare nuk është aspak e lehtë dhe ne e dimë këtë të dyja. Nuk është e lehtë as të ecësh përpara mbi parime dhe ide duke refuzuar pazaret. Por koha ka ardhur që kjo frymë e kjo mënyrë e të bërit politikë të jetë modeli që përqafojmë si shqiptare, andej e këtej kufirit. Ramë dakord me Vjosën të punojmë më shumë e më ngushtë për çështjet e integrimit si edhe në betejën e gjatë për ndërtimin e shtetit ligjor e luftës ndaj korrupsionit”,-shkruan Hajdari.