Deputetja i drejtohet Lleshajt: Po më kërkohet mbyllja e gojës. Si e justifikoni dhunën e policëve?!
Kryetarja e Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri nga foltorja e Kuvendit i është rikthyer protestës së dhunshme që ndodhi pas shembjes së Teatrit Kombëtar, ku pati konfrontime mes artistëve, aktivistëve dhe policisë. Sipas deputetes së opozitës, konfrontimet kanë nisur nga ana e policisë.
Mes të tjerash, Dhimitri i është drejtuar ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj se si e justifikon ai sjelljen e policisë.
“E kam iniciuar këtë interpelancë, duke marrë shkas nga dhuna barbare nga individë të veshur me uniforma policie gjatë operacionit të një shembje të historisë së vendit tonë, Teatrit Kombëtar. Mendova se ndonjë prej ushtarëve të zellshëm të pushtetit, do të kishin kurajo që t’i dilnin shqiptarët përballë, për të realizuar një dëgjesë. Por më kërkohet mbyllja e gojës, për të vijuar më tej me heshtjen patetikë të plan prishësve. Po si mund të bjerë në veshë të shurdhër shembja e trashëgimisë kulturore?! Askujt nga qeveria, duke nisur nga organizatori, kryeministri, ekzekutorët, kryetari i bashkisë moniste, dhe ministrit të Brendshëm, s’iu bë vonë dhe duke përfituar nga errësira dhe pandemia globale, të godasin teatrin. Kanë hyrë në mënyrë barbare me armë zjarri, duke përdorur gaz lotsjellës, e duke i goditur gjithandej dhe duke i arrestuar me 20 policë për person. Dhuna e përdorur ndaj publicistit të njohur, Alfred Lela, është fakt i pamohueshëm i dhunës prej efektiveve. Protestuesit kanë qenë në të drejtën e tyre. Ata po protestonin paqësisht, asnjëri prej tyre nuk ka qenë I dhunshëm me policinë. Konfrontimin e ka nisur policia, duke I shtyrë, nxjerrë krahët e përdorur forcën. Policët ishin disa herë më të lartë në numër se protestuesit, edhe pse këta të fundit nuk paraqisnin aspak rrezikshmëri”, tha Dhimitri.