Dëshmia e biznesmenit: Si më kërcënoi Shullazi

Emiliano Shullazi tashmë ndodhet në burg, bashkë me Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin.

Ata akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale, gjobëvënie dhe shkatërrim të pronës.

Hetimet ndaj tyre nisën në shkurt dhe bazohen në një një denoncim të bërë nga një biznesmen.

Ai është Arjan Zika.

Ky i fundit ka deklaruar në polici se është kërcënuar për një sipërfaqe toke prej 1200 metra katrorë.

Sipas kallëzimit të Zikës, Shullazi i ka kërkuar që të blinte me çmimin e tregut të sotëm sipërfaqen që kishte blerë para disa vitesh pasi përndryshe do ta paguante me jetë.

“Emiliano më tha ose blije sërish me çmimin e tregut të sotëm, ndryshe do të të vras.

E kam takuar 4 herë Shullazin dhe nuk pranova”, ka deklaruar Zika.

Pas refuzimit të biznesmenit për të riblerë tokën me një çmim tjetër, dyqanit të Zikës i është vënë eksploziv më 13 mars.

Nga frika, ai është larguar nga Shqipëria, duke qenë se edhe pas denoncimit në polici nuk kishte asnjë veprim ligjor.

Shullazi ndërkohë po hetohet edhe për kalimin në pronësi të ish-hotel “Vollga”.

Dyshohet se ky ndryshim ka ardhur përmes kërcënimeve.

Ai akuzohet edhe për kërcënimin e 4 biznesmenëve të tjerë.

SHKARKO APP